Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” kësaj radhe viziton Malishevën

Me datë 6 maj, qytetarët e Malishevës patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila për herë të parë u shfaq në Prishtinë në qershor të vitit 2019, e që nga atëherë, kohë pas kohe (për shkak të karantinës të shkaktuar nga virusi COVID-19) u shfaq në shumë komuna të tjera duke përfshirë këtu Pejën, Mitrovicën, Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Drenasin dhe Gjakovën.

Ekspozita sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, dhe synon të inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.

“Ekspozita do të vazhdojë edhe këtë vit, duke ditur se fatkeqësisht rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje. Dhuna ndaj grave duhet të dënohet nga secili prej nesh, pa asnjë kompromis e arsyetim”, ka thënë Besarta Breznica, Koordinatore e Projektit, RrGK.

Përgjatë kësaj dite, stafi i RrGK-së përveç që ka pritur qytetarët e interesuar, po ashtu ka informuar ata lidhur me institucionet kyçe për raportimin e rasteve të dhunës ndaj grave, dhe mënyrave përmes së cilave  qytetarët mund të arrijnë tek ato institucione për të realizuar të drejtat e tyre.

Kjo ekspozitë do të vazhdojë edhe në komuna të tjera të Kosovës, përkatësisht në Bresje të Fushë Kosovës, Viti dhe në Ferizaj.

Ekspozita u përkrah nga Bashkimi Evropian (BE) përmes UN Women #EVAW dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), kurse për realizimin e saj në Komunën e Malishevës RrGK bashkëpunoi me organizatën anëtare Shoqata e Grave “Fatjona”.