FAGj dhe Artpolis drejt krijimit të mekanizmave ligjor kundër ngacmimeve seksuale

 “Artpolis” dhe “Femrat Aktive të Gjakovës” organizuan trajnimin e përbashkët rreth metodave avokuese dhe mekanizmave ligjore për adresimin e ngacmimeve seksuale në universitete publike. Ky trajnim u mbajt me 1 korrik, 2015 në Hotel Sirius, Prishtinë në kuadër të grantit të avokimit në partnership për ndryshim, i cili është ndarë këtyre dy organizatave nga Fondi i Grave të Kosovës. 
    Për të adresuar ngacmimin seksual në universitetet publike, dy organizatat kanë ftuar vajza aktiviste, të cilat studiojnë në universitetin e Prishtinës dhe atë të Gjakovës. Përmes takimeve dhe trajnimeve ato do të mësojnë si do të avokojnë për të inicuar procesin e krijimit të mekanizmave ligjor kundër ngacmimit seksual në universitetet publike. 
“Ky ështe fillimi një procesi të vështirë dhe shumë të gjatë, që kërkon angazhim të plotë për një periudhë të gjatë kohore. Ne shpresojmë të bëjmë ndryshime, ” tha Zana Hoxha Krasniqi, drejtore e organizatës “Artpolis”. 
    Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrëset patën mundësinë të ndjekin sesionin për metodat interaktive avokuese, ku trajnuesja Dardana Mehmeti shfaqi metoda konkrete si të avokohet nëpërmjet artit dhe aksioneve rrugore. Ndërsa në sesionin e dytë, pjesëmarrëset punuan në grupe, ku analizuan qëllimin e kësaj iniciative me metodën SWOT dhe SMART. Këto metoda ju ndihmuan vajzave të definojnë strategjitë të cilat do t’i përdorin gjatë avokimit me institucionet relevant. 
    Ato ndanë raste personale të ngacmimeve seksuale në universitetet ku studiojnë dhe diskutuan për mënyrat e qasjes në këto raste. Një çështje shqetësuese që u shfaq gjatë diskutimit ishte se si të si të veprohet në mungesë të provave të ngacmimit seksual. Gresa Rrahmani, studente e Universitetit të Prishtinës rekomandoi që “në rastet kur raportohen më shumë se pesë raste të ngacmimit seksual drejt një personi, atëherë mekanizmat institucional duhet ta marin në shqyrtim këtë çështje edhe në rast të mungesës të fakteve,” Ajo propozoi që ky rekomandim të jetë pjesë e mekanizmave ligjore kundër ngacmimit seksual në universitet publike. 
    Në sesionin e tretë, trajnuesja Ariana Qosaj- Mustafa i informoi pjesëmarrëset për kornizën ligjore në Kosovë, respektivisht për ligjet të cilat e definojnë dhe ndëshkojnë ngacmimin seksual. Ato janë: Kushtetuta e Republikës të Kosovës (2008), Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas- CEDAW (1979) e cila është pjesë e kushtetutës së Kosovës. Kodi penal i Republikës së Kosovës (2012), Ligji kundër Diskriminimit, Ligji për Barazi Gjinore (2015), Ligji mbi Shërbimin civil të Kosovës (2010) dhe Ligji për rendin dhe qetësisë publike (2009). 
    Vajzat do të vazhdojnë të punojnë për qëllimin e kësaj iniciative, nëpërmjet takimeve dhe trajnimeve që do t’i organizojnë Valbona Doli-Rizvanolli nga “Femrat Aktive të Gjakovës” dhe Dardana Mehmet nga “Artpolis” në muajt në vazhdim. 
Ky projekt financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.