Më 10 shkurt 2025, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti mbledhjen e parë të rregullt për këtë vit, ku u diskutua mbi situatën aktuale në vend, sfidat me të cilat përballen gratë dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke në të ardhmen.
Një nga temat e hapura gjatë diskutimit ishte procesi zgjedhor i 9 shkurtit 2025, me theks të veçantë në Manifestin e Shoqërisë Civile, i cili u është dorëzuar të gjitha partive politike para zgjedhjeve. Gjatë mbledhjes, u nënvizua rëndësia që qeveria e re të marrë parasysh të gjitha pikat dhe kërkesat e përbashkëta të manifestit, duke u angazhuar për politika që fuqizojnë gratë dhe promovojnë barazinë gjinore. U thekesua se ky manifest përfaqëson një zë të fuqishëm të shoqërisë civile dhe duhet të jetë një pikë reference për çdo vendim politik që prek gratë dhe të drejtat e tyre.
Në këtë takim, pjesëmarrëset njëzëri theksuan nevojën për solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë, veçanërisht në një kohë kur ekstremizmi i djathtë po fiton terren në nivel global. U diskutua mbi sfidat që paraqiten nga kjo dukuri dhe u kërkua një mobilizim më i madh për të parandaluar çdo formë të diskriminimit dhe përjashtimit shoqëror.
Hapjen e mbledhjes e bëri Adelina Berisha, Menaxhere Kundër Dhunës me Bazë Gjinore në RrGK. Ajo foli për situatën aktuale në vend dhe sfidat me të cilat përballen gratë, duke kërkuar një bashkëbisedim të hapur me të gjitha anëtaret për të identifikuar më saktë nevojat dhe prioritetet e tyre.
Në fjalën e saj për zgjedhjet e reja parlamentare, ajo përmendi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në politikë dhe në procese vendimmarrëse.
“Shpresojmë që në 4 vitet e ardhshme, të bëjmë ndryshime sa herë që jemi të pakënaqura. Shpresoj që vota jonë, e grave, do të jetë vendimmarrëse. Ndryshime në shoqëri mund të bëjmë ne vetëm kur jemi bashkë,” u shpreh ajo mes tjerash.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes u informua se Statuti i RrGK-së tashmë është përditësuar, duke reflektuar nevojat dhe objektivat e reja të organizatës.
Mbledhja përfundoi me një zotim për vazhdimin e angazhimit të përbashkët për fuqizimin e grave dhe për avancimin e barazisë gjinore. Anëtaret u ftuan që të marrin pjesë në Kuvendin Vjetor të RrGK-së, i cili do të mbahet më 12 prill 2025.