Pjesëmarrëset e Forumit veshin Majicat me shkrimin, “Kështu duket një feministe” në Forumin Rajonal të Feministeve të Reja 2013, që u mbajt me 13-14 nëntor në Prishtinë.

Feministet e Reja Bëjnë Strategji dhe Impresionojnë Zyrtarët

Me 13-14 nëntor, 40 feministe të reja nga e gjithë Kosova dhe shtetet fqinje të rajonit (p.sh., Serbia, Maqedonia, Kroacia) janë mbledhur të kalojnë dy ditë produktive së bashku. Organizuar nga RrGGK dhe përkrahur nga Kvinna till Kvinna, Forumi Rajonal i Feministeve të Reja 2013 u dha mundësinë vajzave të shprehen për çështjet aktuale vendore dhe globale. Çështja kryesore që u ngrit nga vajzat është: Edukimi.
Vajzat nga Kosova dhe rajoni prezantuan aktivitetet avokuese ku ato janë të përfshira. Ato shkëmbyen informata dhe mësuan më shumë nga përvojat e njëra tjetrës, si dhe pengesat që janë shfaqur gjatë punës. Më pas ato u ndanë në grupe për të diskutuar mbi çështjet e ngritura në takimet e mbajtura në gjithë Kosovën në vitin 2013 përmes Iniciativës për Fuqizimin e Vajzave (IFV), si dhe mbi strategjitë avokuese, feminizmin, komunikimin dhe përfshirjen e vajzave në procese vendim-marrëse. Në vazhdim, vajzat krijuan strategji avokuese për ditën e nesërme.
Gjatë ditës së dytë, dy grupet të cilat u fokusuan tek nevoja e përfshirjes së psikologëve në shkolla dhe çasjes në arsim u takuan me zyrtarë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Zyrtarët shprehën interesimin e tyre dhe u përgjigjën në pyetjet dhe idetë e propozuara.
“Unë u mahnita nga gatishmëria e zyrtarëve të MASHT, që na dhanë përgjigje në secilën pyetje dhe shumë rekomandime praktike” tha njëra nga feministet e reja. “Takimi zgjati një orë më tepër se që ishte paraparë.”
Grupi tjetër vizitoi Znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës. Ato prezantuan çështjet kryesore të ngritura nga vajzat gjatë Forumit. Presidentja ishte shumë e vëmendshme, përkrahëse dhe e angazhuar në bisedë. Ajo theksoi se vajzat janë e ardhmja e Kosovës, dhe se atyre i duhet përkrahje e vazhdueshme. Pas takimit zyrtar, Presidentja vazhdoi diskutimin me vajzat, duke shkëmbyer ide të ndryshme.
“Presidentja e Kosovës na mirëpriti me ngrohtësi, dhe jo vetëm që shprehi interesim në çdo gjë që ne kishim për të thënë, por vazhdoi takimin edhe për 15 minuta më gjatë,” tha njëra nga feministet e reja. “Të takosh Presidenten nuk është diçka që mund të bëhet çdo dit, prandaj ishte shumë e veçantë.”
Grupi “Mediat” u fokusua në shkrimin e një artikulli të thjeshtë dhe mënyrën e të folurit para kamerave. Ato gjithashtu diskutuan se si mediat i paraqesin vajzat dhe gratë nëpërmjet gjuhës degraduese dhe raportimit jo-etik.
“Diçka shumë të rëndësishme që kemi mësuar ishte që nëse lexojmë, dëgjojmë apo shohim një lajm të papërshtatshëm ose me paraqitje negative, duhet ta raportojmë tek Këshilli i Mediave të Shkruara ose Komisioni i Pavarur për Media, varësisht nga lloji i mediave përkatëse,” tha njëra nga feministet e reja.
Ditën e nesërme, tri nga vajzat nga ky grup vunë njohuritë e reja në praktikë, duke u shfaqur në programin e mëngjesit në RTV21 për të prezantuar çështjet e ngritura në Forum.
Përveq këtyre, shtatë vajza nga grupi me fokus tek “Arti dhe Organizimi” përgaditën një Aksion në Rrugë, me përkrahjen e Artpolis. Ky aktivitet kishte për qëllim të paraqiste “Diskriminimin në punë – Ngritjen në pozitë” të të gjitha vajzave dhe grave. Të gjitha pjesëmarrëset u mblodhën para Teatrit Kombëtar për të parë performancën, e cila më pas u shfaq edhe nga shumica e mediave të Kosovës.
“Aktiviteti në rrugë ishte një shembull konkret se çfarë mund të arrish përmes organizimit dhe punës në grupe,” tha njëra nga feministet e reja. “Me të vërtetë ne arritëm ta përçojmë mesazhin tek kalimtarët, gjithashtu nëpërmjet mediave televizive që ishin të pranishme.”
Në fund, pjesëmarrëset e Forumit rishikuan Deklaratën e Forumit, propozuan ndryshime dhe e votuan për aprovim. Deklarata kërkon zbatimin e kuotës 30% në proceset vendim-marrëse; zbatimin e ligjit për arsim parauniversitar; sigurimin e transportit dhe librave për të gjithë studentët e arsimit të detyruar; përfshirjen e psikologëve në shkolla dhe zbatimin e kodit etik për mediat e shkruara dhe ato elektronike. Deklarata i është dërguar Znj. Atifete Jahjaga, Presidente e Republikës së Kosovës; Z. Hashim Thaçi, Kryeministër i Republikës së Kosovës; Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ministria e Financave; Agjencia për Barazi Gjinore; Parlamenti i Republikës së Kosovës; Komisioni i Pavarur për Media dhe Këshilli i Mediave të Shkruara.