Dhuna seksuale në Kosovë vazhdon të mbetet një prej llojeve të dhunës që raportohet më së paku. Nga raportet hulumtuese të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) vërehet se disa prej institucioneve kyqe, të cilat kanë për qëllim të adresojnë dhunën seksuale, siç është policia, kanë mungesë të njohurive se si ta trajtojnë atë.
Po ashtu, është vërejtur se qasja ndaj viktimave të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale vazhdon të jetë jo adekuate, shpesh duke e vënë viktimën në pozita të rënda, të cilat edhe mund ta dekurajojnë nga raportimi i saj. Tutje, gjetjet e RrGK-së tregojnë se njohuritë e qytetarëve mbi ruajtjen e dëshmive pasi që kanë përjetuar dhunë janë minimale.
Për ngritjen e vetëdijes qytetare lidhur me këtë, Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (PK) dhe EULEX-in sot, më 9 shtator organizuan tryezë të rrumbullakët për të shënuar fillimin e fushatës “Ma thuaj me kohë-dhuna seksuale është krim”, në lidhje me ruajtjen e provave biologjike në rastet e dhunës seksuale.
Përderisa vëmendja kryesisht është përqendruar në dhunimet seksuale të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, vëmendje më e mangët është ndarë për dhunën seksuale që gratë dhe vajzat e përjetojnë edhe në ditët e sotme.
Edhe pse lufta ka mbaruar, gratë dhe vajzat ende vazhdojnë të përjetojnë dhunë seksuale. Kosova ka ndërmarë disa nisma për të ndhmuar të mbijetuarat e dhunës sekuale gjatë luftës në Kosovë, të cilat vazhdojnë të hasin vështrësi gjatë grumbullimit të dëshmive mbi përvojat e tyre të përdhunimit, mirëpo fatkeqësisht 20 vjet pas lufte, të njëjtën sfide kanë edhe gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë në ditët e sotme nga persona të njohur apo të panjohur.
Sipas statistikave të prezantuara nga IML:
- Rreth 90% e viktimave të dhunës seksuale janë vajza dhe gra,
- Provat biologjike mund të mblidhen vetëm në 28% të rasteve të dhunës seksuale,
- Shumica e viktimave seksuale janë të moshës 11-16 vjeçare,
- Në 81% të rasteve të dhunës seksuale, kryerësi i veprës seksuale është person i njohur për viktimën.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me këtë rast ka folur për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit të të gjithë akterëve relavantë në mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri.
“Për të bërë këtë, ne kemi punuar, por duhet të punojmë akoma më shumë në disa rrafshe: në aspektin ligjor, atë institucional, social, ekonomik dhe në ofrimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit”, ka thënë Jahjaga.
“Tani është koha për ta ngritur vetëdijen publiku lidhur me atë se çka është akti seksual dhe dhuna seksuale”, ka thënë Tarja Formisto, Zëvendësdrejtoreshë në IML, EULEX.
Gjithashtu, specialistja e mjekësisë ligjore, Bergita Curri, ka shpjeguar rëndësinë e kësaj kampanje.
“Ky është kontributi ynë i drejtpërdrejt për t’i ndihmuar viktimat që të arrijnë drejtësi, dhe të thyejnë heshtjen që i rrethon ata që kanë diçka për të dhënë dhe ata që duhet të dëgjojnë”, u shpreh ajo.
Kjo fushatë do të zgjasë deri në mesin e vitit 2020.