Fondacioni Jahjaga: Fuqizimi i Grave dhe Rinisë

 Sot me 20 mars, u lansua Fondacioni Jahjaga, në kuadër të Javës së Gruas, ngjarje vjetore organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), që ka filluar këtë të hënë në Prishtinë.

Fondacioni Jahjaga është nismë e ish-presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga që nga koha e mandatit të saj. Përmes këtij Fondacioni ajo synon të sjellë një qasje të re në angazhimin dhe përfaqësimin efikas dhe domethënës të grupeve të margjinalizuara. Me qëllim të mbështetjes së zhvillimit demokratik të Kosovës, shtyllat kryesore të këtij fondacioni janë: fuqizimi i grave dhe rinisë, siguria dhe pajtimi rajonal ose ballafaqimi me të kaluarën.
“Jam e lumtur dhe e nderuar që do të mund të vazhdoj punën që e nisa si Presidente e Kosovës përmes këtij fondacioni. Nevoja për fuqizimin e gruas dhe rinisë në Kosovë është më e madhe se kurrë më parë,” u shpreh znj. Jahjaga.
Tutje, Lt. Gen. Keith Dayton, Drejtor i Qendrës Evropiane për Studime të Sigurisë George C Marshal, foli për bashkëpunimin e veçantë që kanë pasur me Presidenten Jahjaga për shumë vite.
“Ajo ka qenë një përkrahëse e madhe e ndryshimeve dhe qeverisjes pozitive. Ajo vazhdimisht ka avokuar për të drejtat e njeriut, qeverisje transparente dhe të drejta të barabarta për të gjithë. Në të njejtën kohë ajo ka qenë një shtysë për procesin e pajtimit në rajon,” shtoi më tutje Z. Dayton.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) uron ish-presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga për lansimin e Fondacionit dhe punën e pandalshme për të drejtat e grave, të drejta të njeriut.
Për më shumë rreth Fondacionit Jahjaga, klikoni në vegzën në vazhdim: