Fondi shembullor i Grave të Kosovës ofron informata në nivel ndërkombëtar për programet e BE-së për dhënie të granteve

Me 19 tetor në Bruksel, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) prezantoi Fondin e Grave të Kosovës (FGK) përpara individëve kyç të shoqërisë civile nga delegacione që punojnë në Komisionin Evropian (KE), vendet fqinje dhe ato që do të përfshihen në kuadrin e zgjerimit, si dhe përfaqësues nga zyrat qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të KE-së për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit (DG NEAR), Drejtorisë së Përgjithshme për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (DG DEVCO) dhe Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
     “Mendimet tuaja lidhur me përvojën e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) për përdorimin e dhënies së granteve për të mbërritur në organizatat themelore do të jenë shumë të çmuara,” deklaroi në ftesën e dërguar Lawrence Meredith, Drejtor i “Lagjes Lindore” në DG NEAR.        Prezantimi i RrGGK-së ishte organizuar me ftesën e tij dhe me përkrahje nga KE-ja.
FGK-ja ofron një shembull të praktikave më të mira në përkrahjen e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) të cilat nuk mbështeten sa duhet, duke përfshirë edhe ato që punojnë në zonat rurale dhe me grupe të cenueshme.
     FGK-ja iu ofron OSHC-ve që drejtohen nga gra burimet që iu duhen për të bërë ndryshime në komunitetet e tyre. Qasja unike e RrGGK-së ndaj financimit kërkon të inkurajojë solidaritetin në mesin e aktivistëve të të drejtave të grave dhe bashkëpunimin për të vepruar së bashku si lëvizje e grave në kuadrin e zbatimit të Strategjisë së RrGGK-së për 2015-2018, e hartuar dhe miratuar nga ana e organizatave anëtare të RrGGK-së.
    Gjatë prezantimit të saj, Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programit në RrGGK, theksoi rëndësinë e ofrimit të mbështetjes afatgjate dhe institucionale për OSHC-të, duke iu mundësuar atyre të reagojnë me shpejtësi ndaj ndryshimeve të paparashikuara në politika dhe në kontekste dhe të planifikojnë dhe zbatojnë strategji më afatgjata të cilat kanë ndikim më të madh. Lidhur me këtë, ajo u shpreh se qasja aktuale e donatorëve ndaj monitorimit dhe vlerësimit do të duhet të rishikohet.
     “Ndryshimi social, sidomos ndryshimi i normave dhe marrëdhënieve gjinore, kërkon kohë,” u shpreh ajo. Ne nuk mund të arrijmë të ndikojmë brenda natës. “Përkrahja më afatgjate dhe institucionale do t’u mundësonte OSHC-ve të ushtronin me kalimin e kohës ndikim më të madh,” tha ajo.
     E themeluar në vitin 2012, FGK-ja ka kërkuar të përmbushë nevojat e OSHC-ve të udhëhequra nga gratë, të cilat nuk kanë qasje në financim nga donatorët e tjerë. FGK-ja është krijuar përmes një procesi tepër pjesëmarrës në të cilin janë përfshirë organizatat anëtare të RrGGK-së. Ato kanë diskutuar dhe vendosur sektorët prioritarë, kriteret, procesin e përzgjedhjes dhe anëtarësinë e Komitetit të Shqyrtimit të Granteve, i cili vlerëson kërkesat me qëllim që të përzgjedhë përfituesit e granteve. Grantet deri në 4,000 euro për një OSHC individuale dhe 8,000 euro për partneritetet mund të zgjasin deri në 18 muaj. OSHC-të të cilave mund t’iu mungojë qasja në financime të tjera, që ndodhen në zonat rurale dhe që punojnë me grupet e minoriteteve etike, me të rinjtë dhe/ose me grupe të tjera të cenueshme kanë përparësi në financim.
     FGK-ja është disi unike në kuptimin që të gjithë aplikantët mund të marrin mentorim dhe përkrahje të barabartë në përgatitjen e propozimeve të tyre për projekte. OSHC-ve të cilat nuk marrin grante iu dërgohen letra në të cilat shpjegohet shkaqet për mosmarrjen e granteve dhe iu jepet ndihmë në rishikimin e propozimeve për raundin e radhës. Përfituesit e granteve marrin mentorim të përshtatur sipas nevojave të tyre gjatë gjithë kohës së zbatimit të projektit, duke përfshirë mentorimin në menaxhimin organizativ, menaxhimin financiar, marrëdhëniet me publikun dhe strategjitë e avokimit.
     Që nga viti 2012, RrGGK-ja ka dhënë 90 grante që kapin shumën prej 259,092 eurosh, nga të cilat kanë përfituar 92 organizata, ku disa kanë qenë në partneritet. Së paku 9,138 gra dhe burra kanë përfituar drejtpërdrejt nga grantet (87% gra) dhe 2,964 gra kanë marrë pjesë në proceset e vendimmarrjes, disa prej tyre për herë të parë. Grantet e FGK-së iu kanë mundësuar anëtarëve të RrGGK-së të avokojnë me sukses për të paktën 13 ndryshime politikash. Shkathtësitë e anëtarëve të RrGGK-së në shkrimin e propozimeve, të përmirësuara përmes FGK-së, iu kanë mundësuar disa OSHC-ve të sigurojnë fonde nga donatorë të tjerë për herë të parë.
     Në një raport të vitit 2013 të titulluar Ku janë paratë për të drejtat e grave? i hartuar nga RrGGK-ja dhe Alterhabitus-i janë identifikuar shumë prej nevojave në kohën kur u themelua Fondi. Në hulumtim janë përfshirë 90 organizata të udhëhequra nga gratë dhe 40 donatorë në Kosovë. Në atë kohë, shumica e OSHC-ve kishte pësuar një rënie në financime dhe kishte burime të pamjaftueshme për të adresuar problematikat që ata i konsideronin prioritete. Më tej, 70% e OSHC-ve duhej të reduktonin numrin e personelit, aktivitetet ose të punonin mbi baza vullnetare. Krahas kësaj, 36% e OSHC-ve ishin në rrezik mbylljeje, ndërkohë që disa ishin mbyllur me rrjedhoja tepër negative për grupet e cenueshme. Organizatat jashtë kryeqytetit, pa shkathtësi në gjuhën angleze dhe pa kompjuterë përballeshin me sfida të konsiderueshme për të pasur qasje në mbështetje. Në atë kohë, vetëm 5 nga 40 donatorë të intervistuar kishin ndarë fonde për organizatat që drejtoheshin nga gratë. Shkurtimet në numrin e personelit në radhët e donatorëve ua zvogëloi aftësinë për të menaxhuar disa grante të vogla për organizata të ndryshme.
     Ky hulumtim është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën për të Drejtat e Grave në Zhvillim (Association for Women’s Rights in Development, AWID) dhe nismën e saj ndërkombëtare për hulumtim.  RrGGK-ja dhe Alterhabitus-i e kanë përshtatur metodologjinë e AWID-it për të shqyrtuar nevojat e grupeve të cilat nuk kanë qasje në internet apo njohuri të gjuhës angleze.
     Një hulumtim i bërë së fundmi nga AWID ka treguar se aktivistët e të drejtave të grave në nivel ndërkombëtar vazhdojnë të përballen me ngushtimin e hapësirës së punës së tyre avokuese dhe mbeten të kufizuar nga burimet afatshkurtra dhe përkrahja e pamjaftueshme thelbësore.
      Në fillim FGK-ja ka marrë përkrahje nga Fondacioni “Kvinna till Kvinna”. Sot, Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë financojnë FGK-në.