Forumi Ekonomik i Grave u shkruan letër të hapur partive politike

Më 13 shtator Forumi Ekonomik i Grave u është drejtuar me një letër kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Përmes kësaj letre organizatat përfaqësuese të Forumit Ekonomik të Grave kanë ftuar të gjitha subjektet politike të dëshmojnë zotimin e tyre për gjithëpërfshirje dhe barazi gjinore në rrafshin social, ekonomik dhe politik përmes përfshirjes së politikave dhe masave konkrete në planprogramet partiake.

Forumi Ekonomik i Grave u bëri thirrje subjekteve politike të angazhohen për promovimin e të drejtave të grave përmes:

  1. Adresimit të diskriminimit dhe joaktivitetit të grave në tregun e punës

Sipas analizës së tremujorit të parë të vitit 2019 të Anketës së Fuqisë Punëtore në Kosovë vetëm 13.3% e grave në moshë pune janë të punësuara, duke bërë që Kosova të renditet ndër shtetet me joaktivitetin më të lartë të grave në treg të punës në regjion dhe në nivel Evrope. Për të adresuar këtë çështje, është shumë me rëndësi të promovohen politika konkrete dhe gjithëpërfshirëse të cilat lehtësojnë dhe njëkohësisht inkurajojnë pjesëmarrje më të madhe të grave, të tilla si:

  • Të ofrohen shërbime të përballueshme ekonomikisht për kujdesin e fëmijëve;
  • Të ofrohen skema të arsimimit dhe riaftësimit për gratë që janë të papunësuara për një kohë të gjatë, duke ofruar trajnime të dizajnuara që përputhen me kërkesat e tregut të punës;
  • Të ipen bursa për vajza nga sektori publik dhe nga korporata me rol strategjik për zhvillim të vendit;
  • Të mbështeten programet e ndërmarrësisë së grave – veçanërisht skemat e vetëpunësimit;
  • Të inkurajohet rritja e bizneseve në pronësi të grave, duke ofruar lehtësira të ndryshme administrative dhe financiare;
  • Të përkrahet pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore përmes politikave aktive të tregut të punës, siç janë programet e subvencionimit të pagave, trajnimit dhe ndërhyrjeve afatshkurtra që forcojnë/përmirësojnë shkathtësitë punë-kërkuese.                                                           
  1. Lejes prindërore me pagesë

Përveç garantimit të së drejtës që baballarët të luajnë rol aktiv në kujdesin për fëmijët, politikat familjare të barabarta dhe efektive janë qenësore në përafrimin e hapësirës disproporcionale të punësimit mes grave dhe burrave si dhe avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.

Politikat duhet të mbështesin familjet me prindër që punojnë në tre mënyra: (i) duke siguruar që prindërit kanë të drejtë të marrin leje prindërore për t’u kujdesur për fëmijët e tyre; (ii) sigurimin ose përkrahjen e përkujdesjes për fëmijët; dhe (iii) ofrimin e mbështetjes financiare për kostot e kujdesit së fëmijëve. Forumi Ekonomik i Grave avokon ndryshimin e sistemit aktual duke propozuar një model i cili garanton lejen e lehonisë dhe të atësisë, dhe alokim të patransferueshëm të lejes së paguar prindërore si për nënën ashtu edhe për babanë, krahas një skeme të paguar dhe të papaguar për modelin si tërësi.

Sinqerisht,

Forumi Ekonomik i Grave

 

Lexoni KËTU letrën e plotë drejtuar kandidatëve për deputetë.

 

Organizatat nënshkruese:

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Instituti Riinvest

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ)

Kosova – Women 4 Women

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK)

Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RrOGRAEK)

Forumi Ekonomik i Grave është një trup i pavarur, gjithëpërfshirës e unifikues, që ka mbledhur rreth vetes akterë, organizata e individë të shoqërisë që kanë interes, pjesë aktive e angazhim zhvillimin dhe fuqizimin e grave në ekonomi. Forumi është themeluar bashkërisht nga organizatat që përfshihen në mënyrë aktive në përmirësimin e pozitës së gruas në Kosovë.