Fuqizimi i grave me aftësi të kufizuara në fokus të trajnimit në Prizren

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve Prizren (SHNVPZ), ka mbajtur trajnim me temën “Fuqizimi i Grave me Aftësi të Kufizuar”.

Aty u fol për sfidat që kalojnë gratë me aftësi të kufizuar në avancim e rrjedhimisht edhe në punësimin e tyre.

Shqipe Kryeziu menaxhere e projektit tha se është shumë i rëndësishëm ky takim dhe takime të tilla, pasi ende nuk ka një databazë të saktë se sa është numri i grave me aftësi të kufizuar që punojnë dhe atyre që janë të gatshme për punë e nuk kanë mundësi punësimi.

“Jemi në hulumtim e sipër për të marrë informata se me çka ballafaqohen gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara. Nga takimi kuptuam se shqetësimi i tyre ishte shkollimi i vonshëm, punësimi, dhe këtu mendojmë se neglizhenca kryesore janë familja dhe rrethi, por edhe mos informimi i mjaftueshëm se çka realisht ofrohet për gra e vajza me aftësi të kufizuara. Andaj takimet e tilla ndihmojnë në informimin dhe mundësitë që vajzat e reja me aftësi të kufizuar të kenë qasje dhe t’i dinë të drejtat e tyre rreth shkollimit e më pas edhe punësimit të tyre“, tha Shqipe Kryeziu.

Në këtë trajnim kanë marrë pjesë Shoqata e të Shurdhërve Prizren, Shoqata e të Verbërve Rahovec, Shoqata Hareja-Rahovec, Handikos Prizren si dhe organizata Sytë kërkojnë Dritë.

Ndërkaq edhe Egzona Hoxhaj, asambleiste e komunës së Prizrenit ishte pjesëmarrëse në këtë trajnim. Ajo tha se Komuna e Prizrenit është duke e themeluar zyrën për personat me aftësi të kufizuara brenda këtij institucioni.

“Komuna e Prizrenit do ta ketë zyrtarin dhe zyrën për aftësi të kufizuar. Ka ekzistuar zyra për barazi gjinore dhe janë mbështetur personat me aftësi të kufizuara dhe në bazë të dokumenteve që  kemi hartuar e që do ta qesim në dëgjim publik me qytetarë, do ta kemi zyrën vetëm për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Gjithashtu do të jetë edhe zyrtari ligjor dhe do të bashkëpunojmë me gjitha organizatat ku do ta kemi edhe një databazë më të saktë të këtij komuniteti dhe do t’i dimë nevojat e tyre”.

SHNVPZ si përfituese e Raundit të 18-të të Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së, e zhvilloi këtë aktivitet në kuadër të mbështetjes organizative me ndihmën financiare të Fondacionit Sigrid Rausing.