Gratë e komunitetit Ashkali dhe Egjiptas me vizita të rralla mjekësore

Më datë 29 mars organizata “Aleanca e Grave për Integrim” mbajti takimin e fundit në kuadër të iniciativës “Vetëdijesimi i grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptase në komunat e Ferizajit dhe Lipjanit për shëndetin e tyre”.

Në këtë takim u publikua raporti “Qasja në shërbimet shëndetësore e grave dhe vajzave ashkalike dhe egjiptase në komunat e Lipjanit dhe Ferizajit.

Drejtorja e kësaj organizate, Adelina Qorraj-Emini duke ndarë me të pranishmit të gjeturat e raportit, ka vlerësuar si shqetësuese dy gjëra; Vizitat e rralla mjekësore të grave nga komunitetet jo-shumicë, si dhe martesat e hershme.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Qendrës për Punë Sociale nga Ferizaj, përfaqësues nga Zyra për Komunitete dhe Kthim në Lipjan, Drejtorja e Qendrës për Punë Sociale nga Lipjani, si dhe gra e vajza të cilat përfituan nga kjo iniciativë.

Për hartimin e raportit është realizuar një pyetësor me gjithsej 102 gra dhe vajza nga Ferizaj dhe Lipjani.

Disa nga rekomandimet e dala nga ky raport janë:

  • Të bëhen analiza të thella dhe hulumtime mbi situatën rreth martesave të hershme në Kosovë, përfshirë komunitetet Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim të informimit të vendimmarrësve kyç mbi hapat e nevojshëm për adresimin efektiv të kësaj praktike;
  • Të realizohen fushata vetëdijesimi për gratë në moshë dhe vajzat lidhur me të drejtat shëndetësore dhe të drejtat e pacientit;
  • Të ofrohen mundësi të mëtutjeshme financimi për të organizuar dhe realizuar fushata vetëdijesuese lidhur me rëndësinë e kontrolleve të rregullta gjinekologjike, përfshirë këtu edhe parandalimin e sëmundjeve dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme, karcinomit të mitrës, etj, në mesin e grave të komunitetit Ashkalike dhe Egjiptase.

Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).