Gratë fermere trajnohen për avokim

EcoKosWomen (EKW) në kuadër të nismës “Avokim për qasje më të lehtë të grave në grante, në Komunën e Prishtinës”, organizoi një trajnim rreth kornizave të avokimit me qëllim që gratë fermere përmes avokimit të ngrisin numrin e përfituesve të subvencioneve dhe granteve të Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Prishtinës.

Në trajnimin që u mbajt me 17 qershor në fshatin Slivovë, pjesëmarrëse ishin 10 gra fermere të komuniteteve të ndryshme, të cilat patën mundësi të trajnohen lidhur me mënyrat më efektive për adresimin e problemeve apo situatave ndaj së cilës organizata mund të ndërmarrë veprime të caktuara.

Shpresa Mjekiqi-Gosalci, prezantuesja e trajnimit, inkurajoi të gjitha pjesëmarrëset që të avokojnë te vendimmarrësit për zgjidhjen e problemeve që ato hasin gjatë punës.  Gratë pjesëmarrëse e kanë mirëpritur këtë nismë, teksa së bashku kanë ndarë vështirësitë me të cilat janë përballur. Ndër to është edhe fermerja Ilmije Bytyqi.

“Problemi kryesor në fshatrat e Komunës së Prishtinës është ujitja. Nevoja për sistem të ujitjes është thelbësore në sektorin e bujqësisë. Mungesa e bunareve në fshain e Slivovës, si dhe ne fshatrat e tjerë në afersi, kanë ndikim të drejtpërdrejt në pjellshmërinë e tokës andaj Komunës së Prishtinës i duhej të intervenojë menjëherë për këtë çështje dhe të bëjë një zgjidhje.” tha Bytyqi

Përderisa Havushe Bunjaku, fermere, e vlersoi këtë trajnim si shumë të dobishëm për mobilizim dhe avokim për t’u bërë zgjidhje problemeve që hasin fermerët e këtij fshati. Ajo gjithashtu theksoi rendësinë e gruas fermere duke shtuar se:

“Punën më të madhe në bujqësi e kryejnë gratë. Të gjithë procesin deri sa vjen te transporti dhe shitja e kryejnë gratë, mirëpo fatkeqësisht kjo punë është e padukshme. Andaj është mëse e nevojshme që Komuna të mbështesë sa më shumë gra fermere dhe të thyej këtë pabarazi që po ndodh në ndarjen e fondeve”.

Ky aktivitet dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.  Përveç organizatës EcoKosWomen (EKW), përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.