Me 21 korrik, “Luna” organizoi, në fshatin Prelluzhë, trajnim në kuadër të projektit "Gruaja e shëndetshme – shoqëria e shëndoshë”. Në këtë trajnim morën pjesë 15 gra të fshatrave Prelluzhë, Gracë dhe Plemetin, përfaqësuesja e organizatës Luna, mjekja Zekije Shala, përfaqësueset e organizatave "Dera e Hapur" dhe "Ruka Ruci", si dhe përfaqësuesja e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).
Projekti ka për qëllim avokomin në Ministrinë e Shëndetësisë si dhe institucionet lokale shëndetësore në komunën e Vushtrrisë për ofrimin e shërbimeve shëndetësore gjinekologjike për gratë serbe dhe rome, nga komuna e Vushtrrisë, respektivisht fshatrat Prelluzhë, Gracë dhe Plemetin. “Luna” gjithashtu synon që përmes këtij projekti të vetëdijesojë gratë mbi të drejtat e tyre shëndetësore, përmes ofrimit të trajnimeve mbi vet-ekzaminimin e gjirit, parandalimin e kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës si dhe mbi teknikat e përkrahjes dhe mbështetjes së grave të prekura nga këto sëmundjet.
“Ngritja e vetëdijes së grave për këto sëmundje si dhe për rëndësinë e kontrolleve të rregullta është hapi i parë dhe mënyra e vetme që gratë të informohen dhe kuptojnë rëndësinë e avokimit tek institucionet për të nisur ofrimin e shërbimeve gjinekologjike në Qendra të Mjekësisë Familjare të këtyre fshatrave”, është shprehur znj. Stanica Kovacevic, përfaqësuesja e organizatës “Luna”. Ajo gjithashtu theksoi faktin se përveç mungesës së mjekëve specialistë për këto sëmundje, gra të këtyre fshatrave ballafaqohen me problemin e transportit dhe lëvizjes së lirë, gjë e cila vështirëson qasjen e tyre në shërbime shëndetësore. “Përveç avokimit mbi ofrimin e shërbimeve shëndetësore, ne gjithashtu do të avokojmë tek zyrtarët në komunën e Vushtrrisë për rregullimin e linjës së transportit, e cila do të kalojë në këto fshatra”, vazhdoi znj. Stanica.
Përveç trajnimit të rregullt mbi temat si: vet-ekzaminimi i gjirit, parandalimi i kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës si dhe mbi teknikat e përkrahjes dhe mbështetjes së grave të prekura nga këto sëmundje, dr. Zekije Shala ju ofroi të pranishmeve edhe mundësinë e konsultimeve mbi problemet e tyre shëndetësore, duke i këshilluar varësisht nga rasti dhe nevoja e tyre.
Pjesëmarrëset shprehën mirënjohje për këtë projekt duke u ndarë të kënaqura me gjitha njohuritë e përfituara, duke falënderuar përfaqësuesen e organizatës Luna si dhe mjeken për ofrimin e këshillave si dhe konsultimeve mbi këto sëmundje. Një grua tha se "do ti informoj të gjitha gratë të cilat di se kanë pasur probleme shëndetësore të tilla që të vijnë në trajnimet dhe konsultimet e radhës. Pasi që nuk kemi specialiste për këto sëmundje afër fshatit tonë, vizitat e mjekës Zekije për ne kanë rëndësi shumë të madhe”.
Realizimi i këtij projekti mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).