Më 5 mars organizata Gruaja Bashkëkohore mbajti diskutim për “Të drejtat seksuale dhe riprodhuese”, temë kjo e fundit për trajtim në kuadër të iniciativës “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin”.
Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Drejtoria e Shëndetësisë së Prizrenit, studente si dhe përfaqësuese nga shoqëria civile.
Filloreta Vukshinaj, Koordinatore e Projektit në qendrën Gruaja Bashkëkohore njoftoi të pranishmit lidhur me nismën dhe qëllimin e saj.
Disa nga rekomandimet që do t’u dërgohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë Komunale janë si vijon:
- Të ngritet vetëdija për përdorimin e metodave moderne të kontracepsionit, përmes ligjëratave tek adoleshentët dhe popullsia sidomos në zonat rurale. Profesionistët shëndetësor nuk duhet të ngurrojnë që të diskutojnë kontracepsionin me të interesuarit,
- Të bëhet promovim në kanalet virtuale – Spitali Rajonal i Prizrenit dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare duhet të përditësojnë më shumë informata në faqen zyrtare të internetit në lidhje me shëndetin riprodhues,
- Të mbrohet privatësia – Spitali Rajonal i Prizrenit në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) duhet të ngrisin vetëdijen te profesionistët shëndetësor rreth privatësisë dhe konfidencialitetit në lidhje me shërbimet kontraceptive, abortin, dhe kujdesin maternal. Po ashtu MSH duhet të krijojë një komision monitorues për profesionalizmin e nëpunësve shëndetësorë
- Të ndryshohet Ligji për Shëndetin Prodhues – tek nenet 2,5,7,8 të ligjit Nr.02/l-76 Ligji për Shëndetin Riprodhues të zëvendësohet fjala “femër” me fjalën “grua”, sepse termi “femër” është term shkencor i cili i referohet karakteristikave biologjike dhe fiziologjike, gjegjësisht seksit të një specije që është e aftë të lind, kurse termi “grua” i referohet në mënyrë të veçantë qenieve njerëzore, gjegjësisht rolit të krijuar shoqëror.
Kurse prezantim të detajuar të Ligjit për Shëndetin Riprodhues bëri juristi Leotrim Gërmizaj. Ai poashtu tregoi për pornografinë, rreziqet dhe kërcënimet që vinë nga cybersex (I njohur edhe si internet seks, cybersex përshkruan një marrëdhënie seksuale virtuale, ku njerëzit përmes kompjuterit i dërgojnë njëri-tjetrit mesazhe/imazhe me përmbajtje seksuale).
Të pranishmit theksuan se këto dukuri janë posaçërisht të rrezikshme ngase në të shumtën e rasteve viktima të programeve pornografike dhe cybersex-it janë adoleshentët.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).