Handikos Mitrovica fuqizon personat me aftësi të kufizuara përmes trajnimeve

Handikos Mitrovica ka përmbyllur me sukses nismën “Fuqizimi i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit riprodhues”, falë grantit të dhënë nga Fondi i Grave të Kosovës.

Nga trajnimet, avokimet dhe takimet e ndryshme të mbajtura nga Handikos Mitrovica përgjatë një periudhe tremujore, kanë përfituar direkt 30 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara të Komunës së Mitrovicës, ndërsa përfitues indirekt janë rreth 100 familjarë dhe të afërm të këtyre grave dhe vajzave. Përgjatë kësaj kohe 20 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara përmes trajnimeve tre ditore janë ndërgjegjësuar mbi shëndetin reproduktiv, edukimin seksual, koncepteve biologjike dhe shoqërore rreth seksualitetit. Për me tepër, 14 vajza dhe gra me aftësi të kufizuar janë njoftuar dhe janë informuar për rolin e Këshillimores brenda Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare (QKMF).

Po ashtu Handikos thekson se dhjetë gra kanë dokumentuar shkeljet brenda sistemit shëndetësor, ndërsa përmes sesionit informues me ekspertë 20 gra dhe vajza me aftësi të kufizuara janë vetëdijesuar dhe janë të gatshme për t’i dokumentuar dhe raportuar abuzimet/shkeljet mbi të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor në mënyrë zyrtare tek autoritetet përkatëse.

Në anën tjetër, 10 nëna të vajzave me aftësi të kufizuar kanë ndjekur trajnimet dhe janë ndërgjegjësuar për rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe gjithashtu kanë ngritur kapacitetet e tyre në mënyrë që të diskutojnë me vajzat e tyre me aftësi të kufizuara.

Si rezultat të kësaj nisme, Handikos e sheh rritjen e bashkëpunimit me institucionet lokale për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar.

Përmes trajnimeve, takimeve sesioneve informuese 30 vajza dhe gra me aftësi të kufizuar janë socializuar në mes vete.

Psikologja dhe trajnerja e angazhuar nga Hendikos Mitrovica, Elfije Kelmendi gjatë njëri nga sesionet e mbajtuar ka thënë se diskutimi për shëndetin riprodhues është më se i nevojshëm meqë ende konsiderohet si një temë tabu.

OJQ Handikos Mitrovica e realizoi këtë nismë si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).