Me 10 dhjetor, Hilmijeta Apuk nga Mitrovica mori çmimin për drejtat e njeriut nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-mun.

Hilmijeta Apuk merr Çmimin për të Drejtat e Njeriut

Me 10 dhjetor, duke shënuar Ditën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut në selinë e OKB-së në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon, ndau çmime gjashtë personaliteteve që kanë kontribuar dhe punuar për të drejtat e njeriut. Mes tyre ishte edhe Hiljmnijeta Apuk nga Mitrovica. 
Apuk, për më shumë se 30 vjet, ka avokuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe jashtë vendit. Ajo ka shërbyer si anëtare e Komitetit Ad Hoc të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila ka hartuar Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ajo është bashkëthemeluese dhe drejton organizatën jo-fitimprurëse Njerëzit e Vegjël të Kosovës. Ajo gjithashtu punon si kordinatore kombëtare për fushatën vetëdijesuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Në kohën e saj të lirë, Apuk merret me art, duke dashur që nëpërmjet artit të saj të promovojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
     "Ky çmim është shumë i rëndësishëm për mua, për punën time dhe për Kosovën, vendin tim" tha Apuk. "Kjo na fuqizon edhe më shumë dhe na inkurajon për të vazhduar punën tonë për të drejtat të njeriut".
     Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ndan këtë çmim çdo pesë vjet për personalitetet dhe organizatat që kanë kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Emri i Hiljmnijeta Apuk tashmë renditet mes fituesve të mëhershëm të këtij çmimi si Nelson Mandela, Martin Luther King dhe Benazir Butto, etj.