Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), In Time, më 15 qershor ne Prizren ka mbajtur takim lidhur me informimin dhe motivimin e grave për pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje. Të pranishëm në takim ishin nëntë përfituese, ish kandidatet dhe asambleistet e komunës së Prizrenit si dhe zyrtare nga kabineti i kryetarit të komunës së Prizrenit.
Gjatë këtij takimi, Besmire Aliu, drejtore ekzekutive e organizatës In Time, ka prezantuar të gjeturat e një hulumtimi të brendshëm të organizatës lidhur me vendimmarrjen e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultime publike. Sipas rezultateve pjesëmarrja e grave në konsultime publike ishte shumë e ulët, por gratë kanë treguar interesim të marrin pjesë në konsultime publike duke thënë se shumica prej tyre nuk janë aspak të informuara për takime të tilla.
Aliu ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së grave sidomos në hartim të politikave. “Zëri i grave duhet të dëgjohet në hartim të politikave ngase këto politika prekin të gjitha nga ne.”
Ish-kandidatja për Kuvend Komunal, Ujana Emra, ka theksuar se mentaliteti patriarkal vështirëson përshirjen e grave në politikë duke thënë se “te ne vazhdon të mbetet problem mentaliteti për motivim për pjesëmarrje në politikë, madje gratë ndonjëherë nuk kanë përkrahje nga familja apo rrethi”.
Zyrtarja e kabinetit të kryetarit të komunës, Jona Hoxhaj, ka folur për platformën e re që komuna po punon në bashkëpunim me USAID-in për të funksionalizuar këshillat lokalë. Këta këshilla parashihet që të shpërndajnë më mirë informatat për konsultimet publike të komunës dhe rrjedhimisht të rrisin pjesëmarrjen e grave në këto takime.
Organizata In Time ka organizuar takime të njëjta edhe në Komunën e Lipjanit dhe të Vushtrrisë.
Këto aktivitete u realizuan falë mbështetjes organizative të marrë nga rundi i 16-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), financuar nga Sigrid Rausing Trust.
Për më shumë lidhur me mbështetjen organizative dhe se çka përfshin ajo, mund të lexoni KËTU.