Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga marshon së bashku me OJQ Jeta-Vita, për të promovuar zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Jeta-Vita Marshon për Vetëdijësim lidhur me Kancerin e Gjirit

Sheshi i qytetit të Prishtinës kishte marrë ngjyrë rozë. Pemët në qytet ishin mbështjellur me fjongo ngjyrë rozë dhe qindra qytetarë ishin pajisur me fjongo e shalle rozë, për të përkrahur gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Së bashku, ata përcillnin një mesazh shumë të fortë që: ato nuk janë vetëm.

Sikurse edhe vitet tjera, edhe këtë vit Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit Jeta-Vita , me 12 Tetor mblodhi qytetarët pranë Teatrit Kombëtar. Pas një programi informativ dhe kulturor, ata marshuan së bashku me moton: “Zbulimi i Hershëm = Mbijetesë”.
Këtë aktivitet Jeta-Vita e ka bazuar në suksese të mëhershme, duke kërkuar bashkëpunim më të mirë me institucionet e Kosovës në diagnostifikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.
“Ne nuk po kërkojmë mëshirë,” tha Nafije Latifi, Drejtoreshë Ekzekutive e Jeta-Vita. “Ne nuk po kërkojmë diçka të pamundur. Ne vetëm po kërkojmë trajtim kualitativ dhe zbulim të hershëm të kancerit të gjirit. Kjo sëmundje nuk prekë vetëm gratë, por të gjithë familjen dhe shoqërinë.”
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga përkrahu iniciativën.  “Ju lus të gjithave: nëna, gra, motra dhe vajza që t’i nënshtroheni kontrollave të rregullta mjekësore sepse zbulimi i hershëm do të thotë fitore mbi sëmundjen e kancerit të gjirit,” tha ajo. “Përmes ecjes sonë simbolike, ne dëshmojmë kujdesin dhe solidaritetin si individë, si shoqëri dhe institiucione, për të gjithë të prekurit nga kanceri i gjirit. Vetëm së bashku mund ta fitojmë këtë betejë.”
Përfaqësues të tjerë të lartë shtetëror gjithashtu shprehën solidaritetin e tyre me personat që vuajnë nga kanceri i gjirit, duke ofruar përkrahjen e tyre.