Komuna e Mamushës me Plan të Veprimit për Barazi Gjinore

     Në komunën e Mamushës ekzistojnë shumë raste të martesave të hershme dhe braktisjes së shkollimit të vajzave pas përfundimit të shkollës fillore, ndërsa numri i grave dhe vajzave në vendimmarrje është shumë i vogël ose nuk ka fare. Mungesa e politikave gjinore në këtë komunë, është njëra prej pengesave për planifikimin e mirëfilltë të projekteve dhe angazhimit të institucioneve lokale dhe të shoqërisë civile në drejtim të avancimit të barazisë gjinore.
     Duke e parë një situatë të tillë, organizata Dora Dorës ka përgaditur Planin e Veprimit për Barazi Gjinore 2017-2019, i cili edhe është aprovuar nga Kuvendi i Mamushës. Ky plan rregullon fushat më të rëndësishme si arsimimi, shëndetësia, fuqizimi ekonomik, gratë në politikë dhe vendimmarrje, dhuna në familje dhe shumë të tjera. Poashtu, për secilën nga këto fusha është paraparë se kush mban përgjegjësinë për zbatimin e tyre, përfshirë buxheti.
     “Këto gra punojnë shumë, kultivojnë pemë dhe perime, bëjnë punë dore dhe është e nevojshme që gjithë ajo punë e tyre të njihet dhe nga të tjerët. Gjithashtu shkollimi i vajzave është i domosdoshëm”, ka thënë Luljeta Avdiq, menaxhere e projekteve në organizatën Dora Dorës.
     Për të përpiluar këtë plan sa më mirë, Dora Dorës ka organizuar takime në formë punëtorie me përfaqësues institucional, zyrtare për barazi gjinore, drejtorë relevant të komunitetit turk dhe shqiptarë, gra dhe burra. Gjatë këtyre takimeve janë përcaktuar fushat kryesore të veprimit, objektivat dhe aktivitetet konkrete mbi analizën e gjendjes në komunën e Mamushës në aspektin e barazisë gjinore. Në një nga takimet, Seilan Mazrek, zyrtare për të drejtat e njeriut në Komunën e Mamushës, ka treguar për rëndësinë e këtij plani, plan i cili rregullon çështjet se si gratë të kenë më shumë të drejta në fushat përkatëse. 
     Përfitues, përfshirë gra e burra që kontribuan direkt në realizimin e tij, ishin 189 persona. Tani gratë që veprojnë në komunën e Mamushës, e kanë më të lehtë të punojnë mbi nevojat e komunitetit ku jetojnë. Ato gjithashu do të vazhdojnë të informojnë sa më shumë qytetarët, për ekzistencën e Planit të Veprimit për Barazi Gjinore dhe rëndësinë e tij.
     Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (me vlerë prej 2,994€), financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.