Kontrollet e rregullta shpëtojnë jetë

Të entuziazmuara dhe plotë energji gratë e komunitetit serb të fshatit Prilluzhë të komunës së Vushtrrisë, u mblodhën me 10 shator në zyret e organizatës Luna.
   Takimin e filloi Marina Milosheviç e cila u shpjegoi të pranishmeve qëllimin e takimit duke i’u shpërndarë atyre një pyetësor lidhur me sëmundjet e kancerit të gjirit dhe mitrës për të parë se sa ato janë të informuara lidhur me këto sëmundje.
    “Ne kemi realizuar kontrolle falas për kancerin e gjirit  në organizatën tonë” – u shpreh drejtorja e organizatës Stanica Kovaçeviç. “ Kemi pasur një anëtare të cilën e ka kontrolluar doktoresha që do të vijë edhe sot. Doktoresha në atë kohë i ka thënë se ajo duhet të operohet dhe në fillim anëtarja jonë ishte shumë e çuditur sepse nuk kishte ndjerë ndonjë simptomë për të cilën duhej të shqetësohej, por ajo në vazhdim bëri kontrolle dhe analiza të tjera të cilat konstatuan se ajo duhej të operohej dhe në këtë mënyrë jeta e saj tani është jashtë rrezikut.”
     Zonja Nafije Latifi dhe Minire Zuna gjinekologe ndanë informacione rreth kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës dhe pas përmbylljes së takimit të gjitha pjesëmarrëset u takuan individualisht me doktoreshat në zyret e organizatës Luna për të realizuar kontrollet falas. Këto aktivitete u mundësuan në kuadër të projektit “Çelësi i shëndetit është tek parandalimi: Kontrollet e rregullta sistematike shpëtojnë jetë”, të financuar nga Fondi i Grave të Kosovës në kuadër të raundit të gjashtë të granteve të përkrahur nga Austrian Development Agency (ADA).