Kvinna till Kvinna organizoi trajnimin për Monitorim dhe Vlerësim

 Me 17 – 20 tetor, Kvinna till Kvinna mblodhi në Tiranë tetë organizata partnere nga Kosova në takimin rrjetëzues për të diskutuar mbi procesin e monitorimit dhe vlerësimit të projekteve e programeve. Mirjeta Dibrani, Asistente e Granteve në Fondin e Grave të Kosovës (FGK), mori pjesë si përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK). 
      Në ditën e parë të takimit Yllka Soba, zyrtarja e programit të Kvinna till Kvinna bëri prezantimin e temës së trajnimit si dhe pikave të planifikuara për diskutim gjatë këtyre ditëve. Përzgjedhja e kësaj teme është bërë me kërkesë të anëtarëve. Pas përfundimet të takimit të parë anëtaret vizituan muzeun Bunkart ku u njoftuan me historikun e ndërtimit të tij si dhe funksionin që kishte secila nga 24 dhomat e atij bunkeri. 
       Trajneri Refki Morina në ditët në vazhdim shpjegoj temat si: çka është monitorimi dhe vlerësimi, ciklet dhe rëndësinë e monitorimit dhe vlerësimit për ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e një organizate. Po ashtu u diskutua edhe për kornizën logjike, se çka është korniza logjike dhe pse nevojitet. 
       Disa nga organizatat e pranishme nuk kishin bërë më parë monitorim dhe vlerësim të punës së tyre dhe nga ky trajnim e kuptuan rëndësinë që ka ky proces. Ndërkaq RrGK ndau përvojën e punës me bazën e të dhënave për monitorim dhe vlerësim ku në periudhën janar- qershor 2017 e ka përmbushur 76% të strategjisë së saj. 
        Gjatë trajnimit u diskutuan dhe rezultatet dhe sfidat me të cilat organizatat përballën. Gjatë tregimit të rezultateve Zana Hoxha Krasniqi nga organizata Artopolis u shpreh se “Rrjeti në tërësi, e po ashtu Fondi i Grave të Kosovës në veçanti, është shembull për vendet e rajonit dhe ne si anëtare duhet ta promovojmë sa me shumë sepse bëjnë një punë të mrekullueshme”. 
         Pjesëmarrëset ishin të kënaqura me trajnimin dhe theksuan se do të bëjnë përpjekje që edhe në organizatën e tyre të krijojnë një data-bazë me anë të së cilës do të monitorojnë dhe do ti vlerësojnë se ku janë arritjet dhe mangësitë e organizatës.