29 janar 2015
I nderuar Z. Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës së Kosovës,
Në protestat e organizuara me datë 24 dhe 27 janar me moton “Jabllanoviq jashtë -Trepça është e jona”, morri pjesë edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK). Arsyeja që shtyri RrGGK-në të jetë pjesë e këtyre protestave, ishte deklarata e z. Aleksander Jabllanoviq përmes së cilës ka mohuar shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe i ka quajtur ‘egërsira’ nënat e personave të pagjetur në Gjakovë. Gjithashtu RrGGK iu bashkua qytetarëve me kërkesën që qeveria ta sjellë në Kuvend ligjiin i cili shëndrron Trepçën në ndërmarrje të veçantë publike.
Deklarimet e tilla shtyen mijëra qytetarë të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj deklarimeve të z. Jabllanoviq; si dhe të kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që i njejti të shkarkohet nga pozita, dhe fati i Trepçës të vendoset në parlamentin e Republikës së Kosovës.
RrGGK vazhdon të përkrahë qytetarët e Republikës së Kovovës, të cilët duke shfrytëzuar të drejtën e tyre të garantuar me ligj, shprehën pakënaqësitë e tyre nëpërmjet protestimit. Në përputhje me Statutin e RrGGK-së, ne protestuam si qytetarë, pa asnjë ndikim politik nga asnjë parti politike, sepse ne, si qytetarë, deshëm të bëjmë këto kërkesa.
Reagimi i parë i policisë, siç u pa në shumë raste dhe në xhirimet në media, ishte jo-proporcional. Për këtë arsye, RrGGK u bën thirrje organeve të rendit të ndërmarin hetime objektive dhe të paanshme, për të zbuluar rastet e tilla ku përdorimi i dhunës ishte i panevojshëm.
Duke i pasur parasysh të gjitha këto, ne kërkojmë nga ju, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, që z. Jabllanoviq të shkarkohet menjëherë nga çdo pozitë zyrtare në Republikën e Kosovës, jo vetëm për mosnjohjen e Kosovës si shtet, por edhe për shkak të ofendimeve drejtuar nënave kosovare të cilat tash e gjashtëmbëdhjet vite nuk dijnë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre, të zhdukur gjatë luftës. RrGGK në vazhdimësi ka qëndruar pranë nënave të personave të zhdukur me kërkesën që të mësojnë për fatin e të dashurve të tyre dhe do të vazhdojë të jetë pranë tyre.
Sinqerisht,
Igballe Rogova
Drejtore Ekzekutive