Lobi për Barazi Gjinore diskuton për sfidat e nënkryetareve nëpër komuna 

Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) është mbledhur sot, më 16 maj, për të diskutuar  “Sfidat me të cilat përballen nënkryetaret nëpër komuna”. 

Përfaqësues të institucioneve, organizatave për të drejtat e grave, si dhe anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) e gra të angazhuara në politikë diskutuan dhe ndanë përvojat e tyre lidhur me pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelin lokal.   

Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova hapi takimin duke përmendur se misioni i Lobit që nga themelimi ka qenë dhe mbetet përkrahja e grave në institucione, në politikë dhe në procese vendimmarrëse si dhe rritja e solidaritetit ndërmjet grave. 

“Është kënaqësi që sot këtu me ne janë nënkryetaret e katër komunave të Kosovës. Këto tregojnë për arritjen e një rezultati të mirë e të një suksesi. Këto gra janë shembull i pjesëmarrjes së grave në politikë”, tha ajo, teksa përmendi gjithashtu punën e bërë në këtë drejtim në kuadër të programit të RrGK-së “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë dhe në procese vendimmarrëse”. 

Tutje, Mihrije Suka, Nënkryetare e Komunës së Suharekës, fillimisht u shpreh e lumtur që është rritur numri i nënkryetareve të komunave dhe se gratë po marrim pozitat që u takojnë në sferën publike. 

“Pozita e grave në Komunën  e Suharekës po avancohet nga mandati në mandat, dhe tani ne i kemi katër drejtori që udhëhiqen nga gratë. […] Duhet ta mbështesim njëra-tjetrën, sepse vetëm nëse e përkrahim njëra-tjetrën do të dalim në realizimin e kërkesave tona”, tha ajo.  

Po ashtu, Leonora Morina-Bunjaku, Nënkryetare e Komunës së Gjilanit ndau përvojën dhe sfidat që ka hasur përgjatë rrugëtimit të saj në politikë. 

“Roli i gruas kosovare u vërejt e u dëgjua fort nëpër të gjitha etapat e shtetit, pa u kursyer asnjëherë. […] Natyrisht, sfida do të ketë gjithmonë, mirëpo duke e mbështetur njëra-tjetrën ne do t’ia dalim gjithmonë”. 

Gjatë mbledhjes së sotme të Lobit për Barazi Gjinore, edhe Marqe Tanushi-Selmanaj, ndau me të pranishmet rrugëtimin e saj përgjatë angazhimit në politikën e nivelit lokal. 

“Gruaja ka lujtuar rol të rëndësishëm në të gjitha aspeket […] Kur unë, që jam lindur e rritur në një shoqëri patriarkale ja kam dalë mbanë, ju do ta keni edhe më të lehtë- çdo gjë fillon me një hap të vogël”.  

Pastaj fjalën e mori, Marigona Lahu, Nënkryetare e Komunës së Podujevës, e cila, ndër të tjerash, shprehi përkushtimin e saj për mbështetjen e vajzave dhe grave për t’u bërë pjesë e proceseve politike dhe vendimmarrëse. 

“Një nga sfidat me të cilat përballemi ne sot në Podujevë është fakti se mungon një rrjet i grave, ku gratë mund të mblidheshin e t’i diskutonin problemet e brengat e tyre”, tha ajo, përderisa shtoi se me bashkëpunim e vullnet do të arrihet përmirësimi i pozitës së grave në politikë dhe poste udhëheqëse.  

Gjatë këtij takimi u fol për arritjet, sfidat si dhe avokimet e nevojshme që duhet çuar përpara për të rritur përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.   

Të pranishmet e vlerësuan këtë takim si mundësi të domosdoshme për të arritur solidaritetin e nevojshëm ndërmjet akterëve që punojnë për të drejtat e grave dhe për rritjen e pjesëmarrjes efektive të tyre në procese vendimmarrëse.  

Kjo mbledhje e Lobit për Barazi Gjinore mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.