Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë shpreh pakënaqësi dhe zhgënjim lidhur me përfaqësimin tejet të vogël të grave në qeverinë e re.
Përbërja e re e qeverisë, ku nga 21 poste ministrore vetëm dy u takojnë grave, është përbërje e pabarabartë dhe si rrjedhojë nuk mund të themi që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës, kur e kemi parasysh se popullata jonë përbëhet nga burrat dhe gratë në raport 50 me 50.
Ligji për Barazi Gjinore e garanton përfaqësimin e grave në pozitat vëndimmarrëse me kuotën 40%, prandaj Qeveria e re, duhet ta zbatojë këtë obligim ligjor.
Kjo përbërje e qeverisë edhe një herë hedh poshtë premtimet e bëra nga shumë liderë aktualë të skenës politike se në qeverinë e re të Kosovës do të ketë më shumë gra përfaqësuese.
Poashtu, përbërja e tillë e qeverisë, ku nga 21 poste ministrore vetëm dy u takojnë grave, shkel përpjekjet dhe investimet e deritanishme të shoqërisë civile dhe të organizatave ndërkombëtare, për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha sferat e jetës, me theks të veçantë në atë politike në rastin konkret.
Që nga viti 2010, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka përkrahur aktivitetet e Grupeve Avokuese të Grave (GAG) nëpër komuna të ndryshme të Kosovës. Në takimin e tretë GAG u shëndrrua në Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë dhe kësisoj mundëson edhe burrave dhe djemve të Kosovës të cilët përkrahin të drejtat e barabarta mes grave dhe burrave, të jenë pjesë e Lobit.
Lobi për Barazi Gjinore do të vazhdoj të avokoj në nivel lokal dhe qendror për çështjet drejt arritjes së barazisë gjinore në Kosovë.
Për detaje më të hollësishme, ju lutemi kontaktoni në info@womensnetwork.org apo në +381 (0)38 245 850. Facebook: Lobi për Barazi Gjinore