“Gratë s’pushojnë as të dilleve”, ishte njëra nga shumë pankartat e aktivisteve që të dielen e 8 marsit për të drejtat e grave dhe vajzave në Kosovë.
Sheshi “Zahir Pajaziti’ në Prishtinë ishte vendtakimi i kolektivtit “MARShojmë S’festojmë”, i cili për vitin e pestë me radhë Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin e shënon me marsh protestues.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) si çdo vit iu bashkua këtij marshi, i cili gjeti përkrahje edhe në qytetin e Mitrovicës dhe atë të Ferizajt.
Në Prishtinë qindra qytetarë marshuan nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, duke vazhduar te Banka Qendrore e Kosovës, Komuna e Prishtinës, e deri te Qeveria e Kosovës/Parlamenti.
“Me shami pa shami, punën e kryj”, “Mos ma prek hisen!”, “Spo du lule, po du kontratë pune”, ishin disa nga thirrjet e brohoritura nga kolektivi, duke i bërë apel shoqërisë për t’u mobilizuar kundër pabarazive dhe shfrytëzimit në punë, në sferën publike dhe atë private, kundër sistemit patriarkal shtypës, si dhe kundër çdo lloj të padrejtësive që ushtrohen ndaj grave dhe vajzave.
Aktivistja Xhejrane Lokaj lexoi kërkesat e marshit, duke thënë se është e vetëdijshme për diskriminimin që gratë hasin në çdo sferë të jetës.
Duke kujtuar se vetëm 13.7% e grave janë të punësuara në Kosovë, për më tepër edhe kur janë të punësuara, ato vazhdojnë të mbajnë pozita më të ulëta, të paguhen më pak për punë të njejtë krahasuar me burrat, të ngacmohen seksualisht, të diskriminohen, dhe të përjashtohen nga puna, kërkesat ndaj Qeverisë janë si më poshtë:
-Politika sociale që e fuqizojnë barazinë gjinore dhe drejtësinë shoqërore;
-Leja prindërore të jetë e barabartë për të dy gjinitë dhe të vazhdojë të jetë brenda ligjit të punës;
-Të kontrollohet ekonomia jo-formale, ku gratë dhe burrat kanë kushte të tmerrshme pune;
-Ngacmimi seksual të trajtohet seriozisht;
-Të ketë siguri në punë për punëtoret e punëtorët e të gjitha sektoreve;
-Sigurim shëndetësor për të gjithë pa marrë parasysh a kemi mundësi të punojmë me pagë apo jo!
-40 orë punë në javë, asnjë orë më shumë pa pagesë shtesë!
-Të ketë avancim të të drejtave të punëtoreve/ëve duke zbatuar kontrata kolektive në nivel sektori dhe nivel kombëtar;
-Pagë minimale të dinjitetshme për çdo qytetare e qytetar të republikës së Kosovës;
-Trajtim të dinjitetshëm të gjithsecilës dhe gjithësecilit, pa dallim gjinie, race, etnie, orientimi seksual, klase, gjuhe, aftësie, religjioni, moshe, vendbanimi dhe çdo identiteti tjetër individual apo shoqëror.
****
Kliko KËTU për të shikuar transmetimin e “Marshojmë, S’festojmë”.
****