Me datën 30 janar, përfaqësuese të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u takuan me Prof. Dr. Arsim Bajramin, Ministër i Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë (MASHT).
Në këtë takim, ku RrGGK u përfaqësua nga Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive; Nicole Farnsworth, Menaxhere e Programeve; dhe Donjeta Morina, Koordinatore, u diskutua mundësia për bashkëpunim mes të RrGGK dhe MASHT për të integruar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor (BPGJ) në këtë Ministri.
Gjatë takimit, Ministri Bajrami u tregua tejet i gatshëm për bashkëpunim dhe shprehu dëshirën e tij për ta bërë punën e MASHT-it sa më transparente dhe efikase.
“Gëzohem shumë që do të bashkëpunojmë për ta integruar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në MASHT, do të keni mbështetjen time të plotë gjatë këtij procesi,” u shpreh Ministri Bajrami, duke theksuar përkushtimin e tij shumëvjeçarë për çështjet e barazisë gjinore.
Më tutje, Ministri u pajtua që MASHT-i, si një Ministri shumë e rëndësishme, përmes shpërndarjes dhe alokimeve buxhetore mund të ketë ndikim shumë të madh në uljen apo ngritjen e pabarazive gjinore. Ai poashtu ceku që përkushtimi i tij më i madh qëndron në rritjen e cilësisë së shërbimeve arsimore, gjë për të cilën shpreson që të vazhdoj të përmirësohet në vitet në vijim.
RrGGK gjatë vitit 2014, në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ) ka ofruar asistencë në integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ) në proceset buxhetore brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
Pas një suksesi të jashtëzakonshëm të kësaj pune vitin e kaluar, gjatë vitit 2015, RrGGK do t’i ofroj asistencë Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në integrimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në këtë Ministri, proces ky që do të mbështetet prej Austrian Development Agency (ADA).
BPGJ prezanton një qasje përmes të cilës perspektiva gjinore mund të integrohet në proceset buxhetore. BPGJ përfshin një proces përmes të cilit qëllimet strategjike drejt përforcimit të barazisë gjinore mund të prezantohen në buxhet. Kjo gjë mund të rris transparencën, efektivitetin e shpenzimeve publike, dhe të ndërmjetësoj monitorimin e zbatimit.
Procesi i analizës së BPGJ mund të ndihmoj për të kuptuar nëse gratë dhe burrat, ose grupe të ndryshme të burrave dhe grave, përfitojnë nga shpënzimet publike; sa efektive janë alokimet buxhetore në adresimin e nevojave potencialisht të ndryshme të grave dhe burrave; sa efektiv është zbatimi i politikave dhe buxhetit në arritjen e qëllimeve gjinore; dhe sa mund të ndikoj (pa)barazia gjinore në arritjen e këtyre qëllimeve.
Për më tepër, departamentet buxhetore dhe institucionet në nivel komunal dhe kombëtar mund të përdorin BPGJ për të komunikuar dhe mbështetur nevojat e departamenteve tek institucionet apo akteret e tjerë, përfshirë këtu edhe Ministrinë e Financave.