Mbahet diskutim publik mbi fushatën #TakeBackTheNight

Pas fushatës #TakeBackTheNight, FemACT në kuadër të RrGGK,  organizoi një diskutim publik ku u fol dhe u reflektua mbi fushatën. Ky event u mbajt me 12 dhjetor në librarinë Dit’ e Nat’, ku morrën pjesë 46 persona. 
Paneli diskutues përbëhej nga Donjeta Morina, Koordinatore e FemACT në RrGGK; Eli Krasniqi, aktiviste dhe Sociologe; Linda Gusia, Sociologe dhe Profesoreshë në Universitetin e Prishtinës; dhe Hajrulla Çeku, aktivist dhe Drejtor Ekzekutiv i organizatës “Ec ma ndryshe”. Ky panel u moderua nga Zana Hoxha-Krasniqi, aktiviste dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis.
“Qëllimi i kësaj fushate ka qenë të nxiten diskutime për këtë fenomen kaq të përhapur në Kosovë i cili nuk diskutohet publiksht,” u shpreh Donjeta Morina. “Për fushatwn ka pasur shumë reagime si pozitive, po ashtu dhe negative. Kritikat më të shpeshta kanë qenë: kritikat kundër hashtag-ut (#takebackthenight), me arsyetimin se një hashtag nuk mund të sjellë ndryshime dhe pjesa tjetër të cilët mendojnë se është normale të ngacmohen vajzat të cilat vishen në mënyë ‘provokative”.
Hajrulla Çeku u shpreh para të pranishmëve se kjo ka qenë fushatë shumë e nevojshme dhe ka vënë në pah rëndësinë e fushatave dhe aktiviteteve të tilla në të ardhmen.
“Personalisht, nuk më ka rastisur të eci nëpër hapësira publike për më shumë se pesë minuta dhe të mos dëgjoj ngacmime nga më të ndryshmet.” Ai po ashtu konsideroi që pjesa më e domosdoshme e fushatës është vazhdimi i mëtutjeshëm i saj.
Eli Krasniqi, u shpreh “e gëzuar shumë që është filluar kjo fushatë dhe ka pasur shumë anë pozitive.” Ajo poashtu shprehi gëzimin që fjala “Feminizëm” po përdoret publikisht dhe e spjegoi rezistencën e madhe ndaj fushatës me faktin që shumë shpesh kërkesa për barazi kuptohet si kërkesë për dominim.
Në anën tjetër, Linda Gusia u shpreh shumë e kënaqur për organizimin e diskutimit mbi fushatën, “sepse do të na ndihmon të përmirsohemi në aktivitete dhe fushata të mëtutjeshme”. Ajo shtoi që ngacmimet seksuale kanë të bëjnë me kontrollin e lëvizjes së lirë dhe tendencave për të kontrolluar trupin e gruas.
Debati zgjati dy orë dhe kritikat kryesore kishin të bëjnë me faktin që disa persona nga publiku e kanë përceptuar fushatën si përjashtuese ndaj burrave, e që citatet gjatë fushatës do të mund të kishin qenë ndryshe.