Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) sot ka mbi 180 organizata anëtare dhe vetëm përgjatë këtij viti ka mbështetur 42 organizata të ndryshme për të drejtat e grave përmes Fondit të Grave në Kosovë, e kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tutje.
Suksesin dhe ndikimin e RrGK-së në fuqizimin e lëvizjes feministe dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë dhe përtej saj, mund ta masim me disa numra e statistika të shumta.
Një faktor i rëndësishëm për suksesin e RrGK-së dhe anëtareve të saj janë mbështetësit e saj afatgjatë, siç janë çifti Sue dhe Frank Farnsworth nga shteti veri-perëndimor i Amerikës, Idaho.
Së fundi, ata nderuan RrGK duke u bashkëngjitur në punëtorinë e mbajtur me anëtare nga 12-14 nëntor në Durrës, Shqipëri. Ne shfrytëzuam këtë mundësi për të biseduar me ta, lidhur me frymëzimin që kanë për të vazhduar mbështetjen për RrGK-në tash e sa vite me radhë.
Ata flasin më shumë për rrugëtimin e tyre me RrGK-në, duke vënë theksin se RrGK është ndër organizatat më të vlefshme për të cilën ata kanë mundur të dhurojnë e ta mbështesin.
Të mbështetësh RrGk-në pa kushte përgjatë vitesh
“Ne e duam punën që RrGK bashkë me anëtaret e saj bëjnë. Gjërat që ju bëni janë shumë të rëndësishme për të drejtat e grave dhe mirëqenien e tyre dhe u krijon atyre shumë mundësi. Ne i dhurojmë paratë tona pa pritur diçka në këmbim, sepse e dimë se ju keni më shumë mundësi që ta bëni këtë ndryshim”, thotë Sue, teksa shton “ne nuk duam asnjëherë që t’u japim paratë dhe t’u tregojmë si t’i përdorni ato”.
Kjo mbështetje e pakushtëzuar është jetike për të adresuar çështjet urgjente në misionin e RrGK-së për të përmirësuar të drejtat e grave, e po ashtu financimi i pakushtëzuar është shumë i vështirë për shumicën e organizatave të shoqërisë civile, ashtu siç edhe tregohet nga hulumtimi i RrGK-së.
Frymëzimi i Frank për ta mbështetur RrGK-në rrjedh edhe nga zërat feministë përgjatë historisë në Kosovë; ai veçon kontributin e dhënë nga Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova.
“Në luftë gratë nuk ngurruan që të marrin përgjegjësinë për të udhëhequr. Igo [nofka me të cilën Frank e quan miqësisht Igballe Rogovën] ishte një nga ato. Ajo mori përgjegjësinë për të udhëhequr dhe falë asaj kurajoje ju sot po vazhdoni këtë rrugë. Është e mahnitshme dhe e ndryshon shoqërinë jashtëzakonisht shumë”.
Frank beson se për shkak të kësaj, e jo vetëm, të mbështetësh RrGK-në është e lehtë.
“Ju e keni mundësinë të bëni ndryshime pozitive. E kam mësuar nga Nicole [Nicole Farnsworth, Udhëheqëse e Hulumtimit, Drejtore e Programit], jo me agjendë, por thjesht me pyetjen ‘si mund të ndihmojmë’”.
Kur pyeten se cilin program të RrGK-së do ta veçonin, që të dytë pajtohen se të gjitha nismat dhe programet e RrGK-së janë barabartë të rëndësishme.
“Të japësh është çështje e besimit”, thonë ata.
Megjithëse Frank e di se ata mund të jepnin para edhe për organizata në vendin e tyre, ai beson se nuk do të arrihej ndikimi i njëjtë.
Donacionet për RrGK-në sjellin ndryshime pozitive për gratë
“Kur e kthej kokën prapa, nuk mund ta harroj asnjëherë kur erdha në Prishtinë me nënën time, dhe biseduam me gratë që po qëndronin në tenda e po kërkonin drejtësi për më të dashurit e tyre që ende ishin të zhdukur nga lufta. Ajo çka ato po bënin ishte diçka krejt tjetër, sikur i përkiste një bote tjetër”, kujton Sue.
Teksa po flisnim për ndikimin e madh të punës së RrGK-së, Frank sjell ndër mend një shembull më të freskët.
“Ishte koncepti mbresëlënës i ekspozitës “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”. Ajo kishte referenca se ku mund të drejtoheshin e të kërkonin ndihmë të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore. Ishte ndihmesë shumë e madhe për to, duke u dhënë një mundësi që të kërkojnë ndihmë”.
Ftesë që dhe të tjerët ta mbështesin RrGK-në
Që të dy dëshirojnë që edhe mbështetës të tjerë ndërkombëtarë të bashkohen me këtë kauzë e të mbështesin RrGK-në dhe organizatat e saj anëtare.
Në këtë pikë, Frank ndan me ne shkurtimisht një rrëfim lidhur me rastin kur Rogova foli për punën dhe aktivizimin e saj në kampusin e Universitetit Shtetëror të Idaho-s në qershor të vitit 2009, dhe si kjo gjë në fakt rriti mbështetësit ndërkombëtar të misionit të RrGK-së.
“Igo erdhi për të folur në Universitetin Shtetëror të Idaho-s, dhe kur njerëzit e dëgjuan historinë e saj, ata donin që të dhuronin. Kjo, besoj unë, është hapi i radhës për të fituar më shumë mbështetës ndërkombëtarë- të tregoni, të komunikoni atë që është duke ndodhur e kështu njerëzit të mund të reagojnë ndaj saj”.
Për më tepër, Sue tregon se ajo ka ftuar edhe miqtë dhe familjen e saj për ta mbështetur këtë kauzë, dhe disa prej tyre në fakt e mbështetën.
Një grup i grave nga Oregon u frymëzuan për të ofruar mbështetje përmes Altrusa International of Corvallis-Altrusa, me ç’rast ofruan mundësi praktike për vajzat në RrGK për të rritur mundësitë e tyre për punësim dhe për të punuar tutje për të drejtat e grave.
Në këtë pikë, Frank shton se mbështetësit potencial nga Amerika po ashtu e kanë mundësinë që paratë që ata dhurojnë për bamirësi në fakt të mos tatohen.
Shënim: Ju mund ta mbështesin RrGK-në edhe nga Amerika pa paguar para shtesë përmes partnerit fiskal të RrGK-së Network for Good, the East-West Management Institute, me ç’rast100% të fondeve të dhuruara do të shkojnë për RrGK-në.
Ata shkurtimisht folën edhe për punëtorinë në të cilën po merrnin pjesë në Durrës, ku organizatat anëtare ishin mbledhur për ta hartuar Strategjinë Feministe të RrGK-së.
“Gjithçka rreth këtij takimi ishte rreth mundësive për t’u rritur dhe për të udhëhequr. Ky rast u krijon të gjithëve mundësinë për të ndarë, për të mësuar dhe për t’u rritur”, thotë Frank.
“Është një mundësi e mrekullueshme për të qenë së bashku, dhe për të mbështetur njëra-tjetrën, e gjithashtu për ta kuptuar se ka shumë gra që ndajnë të njejtat brenga”, shton Frank.
Në këtë intervistë, të cilën ata e përmbyllën me buzëqeshje në fytyrat e tyre, ata u zotuan për ta vazhduar mbështetjen për RrGK-në dhe për t’i qëndruar aftër të gjithë miqve që ata krijuan përgjatë rrugëtimit.
Edhe ju mund ta mbështesni RrGK-në e të ndihmoni në fuqizimin e lëvizjes feministe në Kosovë. Kliko KËTU për të dhuruar në Fondin e Qëndrueshmërisë së RrGK-së i cili mbulon shpenzimet e programeve të rëndësishme.
Çdo cent që dhuroni e bën dallimin në përpjekjen tonë për të mbështetur, mbrojtur dhe promovuar të drejtat e grave dhe vajzave.