Më shumë se 300 gra dhe vajza diskutuan për prioritetet që reflektojnë në planifikimin e buxhetit për vitin 2023

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka vazhduar iniciativën për të rritur numrin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në dëgjime publike me disa organizata anëtare në komunat si: Vushtrri, Viti, Ferizaj, Novobërdë, Skenderaj, Drenas, Gjakovë, Mitrovicë, Kllokot dhe Istog.

Përgjatë muajit shtator, dhjetë organizata anëtare kanë organizuar mbi 25 takime në të cilat kanë qenë pjesëmarrëse rreth 300 gra dhe vajza për të diskutuar nga afër nevojat dhe prioritetet e ndryshme që ato kanë në mënyrë që ato të reflektojnë në planifikimin e buxhetit për vitin 2023. Tutje, janë organizuar mbi 15 takime me zyrtarë komunal për të adresuar rekomandimet e dala nga takimet që përfashijnë: financim më të mirë në disa linja buxhetit komunal për barazinë gjinore, fuqizimin ekonomik të grave, adresimin e dhunës me bazë gjinore, edukimin cilësor të barabartë dhe kujdesin shëndetësor. RrGK prej kohësh angazhohet që buxhetimi i përgjegjshëm gjinor të jetë pjesë e ndarjes buxhetore në çdo komunë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që planifikimet buxhetore të bëhen duke adresuar nevojat dhe prioritetet e ndryshme që gratë dhe burrat kanë.

Ligji Nr. 05/L-020 për Barazinë Gjinore e bën buxhetimin e përgjegjshëm gjinor të detyrueshëm për institucionet publike në Kosovë, përfshirë komunat, ministritë dhe organizatat e tjera buxhetore. Sipas këtij ligji, mos zbatimi i praktikave të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor cilësohet si kundërvajtje nga gjykata kompetente si dhe shqiptohen sanksione ndaj këtij mos zbatimi të ligjit.

Ky aktivitet është mbështetur përmes nismës katër-vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë” nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë si dhe përmes Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxheteve Gjinore të mbështetur nga Agjencia Austriake per Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).