Medica Kosova do të bashkëpunojë me Drejtorinë e Arsimit për mirëqenien e nxënësve në Gjakovë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) Medica Kosova ka nënshkruar një Memorandum të Bashkëpunimit me Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë që ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe mirëqenien e nxënësve në shkollat e Komunës së Gjakovës, përkatësisht angazhimin e disa psikologëve për shkollat në këtë komunë.

Memorandumi u nënshkrua në kohën ndërsa Medica po realizon projektin “Ngritja e kapaciteteve në sistemin arsimor fillor në Gjakovë për trajtimin e fëmijëve/nxënësve që janë viktima të dhunës, abuzimit apo vuajnë nga pasojat e COVID -19”.

Më 30 shtator Medica ka vazhduar me ciklin e dytë të ligjëratave për ndërtimin e lidhjeve pozitive mësues-nxënës. Ligjëratat janë mbajtur në shkolla të ndryshme nga Komuna e Gjakovës, për të ngritur kapacitetet e mësimdhënësve rreth pasojava që lë dhuna tek fëmijët që mund të jenë dëshmitarë ose përjetues të dhunës.

Psikologia e organizatës, Emirjeta Kumnova foli me mësimdhënësit për pasojat e dhunës tek të rinjët, por edhe mënyrat se si mësimdhënësit mund t’i identifikojnë fëmijët që kanë qenë dëshmitarë të dhunës apo që vetë kanë përjetuar dhunë.

Kumnova theksoi se “nëse dëshirojmë të zvogëlojmë pasojat e dhunës dhe ngjarjes traumatike te fëmijët, kjo mund të bëhet përmes ndërtimit të marrëdhënieve pozitive me një të rritur, ku mësimdhënësit mund të jenë ata persona që i njohin nevojat emocionale të fëmijëve.”

“Pra cikli i parë është thelluar në traumat që fëmijët kanë, si pasojë e dhunës, por mbi të gjitha fëmijët që rriten nga familje të cilat nuk kanë njohje emocionale të tyre që shkakton traumë tek këta të fundit,” tha ajo.

Ajo ka potencuar se tek rastet e fëmijëve që kanë përjetuar traumë, jo gjithmonë ata/o mund të shpjegojnë përmes gjuhës përvojat e tyre traumatike andaj edhe i shprehin traumat e tyre me sjellje negative dhe padëgjueshmëri në klasë dhe shkollë.

Cikli i dytë fokusohet në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për t’u bërë të ndjeshëm ndaj traumës. Gjatë ligjëratës u përmend rëndësia e kalimit të mënyrës së menduarit nga ana racionale në atë emocionale.

Ky projekt përkrahet nga Fondi i Grave të Kosovës me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.

Nëse dëshironi të mbështesni punën e ardhshme të RrGK-së dhe organizatave anëtare të saj, duke përfshirë mbështetjen e fëmijëve që kanë përjetuar dhunë, për të përmirësuar kapacitetet e sistemit arsimor për të mbështetur fëmijët si dhe punën e përgjithshme të RrGK-së për të përmirësuar mësimdhënien në mënyrë që të transformohen normat tradicionale gjinore dhe marrëdhëniet brenda shkollave, mund të bëni donacion te RrGK përmes linkut: https://womensnetwork.org/donate/.