Me 22 dhjetor 2017, në Gjakovë, Medica Kosova përmes tryezës së rrumbullakët “Përkrahja e të mbijetuarave për të lehtësuar procesin e njohjes së statusit të tyre – NËSE NE JO, KUSH TJETËR?”, përmbylli me sukses edhe një projekt në përkrahje për një jetë më të mirë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Falë partneritetit shumë vjeçar me Fondacionin Kvinna till Kvinna, me qëllim që t’u garantohet një rrugëtim i qëndrueshëm në përkrahje të të mbijetuarave, Medica Kosova realizoi projektin “Implementimi i qasjes integruese në legjislacion për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës”. Për projektin folën Veprore Shehu, Drejtore Ekzekutive e Medica Kosova dhe Yllka Soba, Zyrtare e Programit në Kosovë për Fondacionin Kvinna till Kvinna. Tryezën e përshëndeti edhe Ardian Gjini, Kryetari i ri i Komunës së Gjakovës.
Tutje, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës ndër të tjera përmendi avokimin e përbashkët si mjet i fuqishëm për të shtyer procesin e njohjes përpara. Ndërkaq për fushatën mediale “Një fije dritë” për vetëdijesimin e shoqërisë për përkrahjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale, foli Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të mirë në Komitetin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut dhe njëherit autore e fushatës.