Ministria e Integrimit Evropian përkushtohet për avancimin e barazisë gjinore

Sot përfaqësueset e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u takuan Ministren e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, dhe Zëvendësministren Anila Statovci Demaj për të diskutuar mbi mundësitë për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë përmes punës së Ministrisë së Integrimit Evropian.
    Përveç ministres Ahmetaj dhe Zëvendësministres Statovci Demaj, edhe një grua tjetër u emërua kohët e fundit si zëvendësministre në këtë ministri: Rita Hajzeraj Beqaj. Për këtë arsye, Ministria e Integrimit Evropian tani ka më shumë gra në pozita vendimmarrëse se çdo ministri tjetër në Kosovë, duke kontribuar në përmirësimin e balancit gjinore në postet drejtuese të ministrive në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e RrGGK-së, Igballe Rogova, përgëzoi ato për pozitat e reja dhe shprehu angazhimin e RrGGK-së për të vazhduar mbështetjen për Ministrinë e Integrimit Evropian, si dhe ministritë e tjera, në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të çuar përpara barazinë gjinore në Kosovë, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore.
    Ministrja Ahmetaj theksoi se edhe pse vërehet përparimi lidhur me barazinë gjinore, mirëpo ka akoma shumë punë për të bërë.
    RrGGK gjithashtu diskutoi me Zëvendësministren Statovci Demaj për mënyrat se si do të mund të pasqyrohej më mirë perspektiva gjinore në procesin e pranimit të Kosovës në BE. Më konkretisht, u diskutua për Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Kosovë. RrGGK ka shprehur shqetësimin e saj se nuk janë përfshirë më parë rekomandimet nga një perspektivë gjinore lidhur me këtë Program. Së bashku, ato diskutuan mënyrat për përmirësimin e procesit të përfshirjes së perspektivës në të ardhmen, në bashkëpunim të ngushtë me ministritë tjera. Ndërkohë, Ministria premtoi se do ti shqyrtojnë edhe njëherë rekomandimet e RrGGK-së  dhe do të përpiqen ti përfshijnë ato ku është e mundur.
    Në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore, RrGGK gjithashtu kërkoi që Ministria e Integrimit Evropian të sigurohet që Zyrtarja për Barazi Gjinore në këtë ministri të ketë kohë të mjaftueshme mënjanë për të kryer të gjitha përgjegjësitë e saj ligjore. Kjo përfshin edhe plotësimin e përshkrimit të punës që ajo të shqyrtojë projekt-ligjet dhe politikat nga perspektiva gjinore dhe të përfshihet në proceset e hartimit të politikave dhe programeve të reja.
Gjatë diskutimit për shqyrtimin e mundësive për të sqaruar pozitën e Zyrtares për Barazi Gjinore, Zëvendësministrja Statovci Demaj vuri në dukje rolin e rëndësishëm që duhet të luaj çdo person në Ministri, dhe jo vetëm Zyrtarja për Barazi Gjinore, për tu siguruar integrimi i barazisë gjinore në të gjitha politikat dhe programet.
    RrGGK ka mbështetur Ministrinë e Integrimit Evropian në avancimin e barazisë gjinore në punën e saj që nga viti 2015 dhe mirëpret vazhdimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në bashkëpunim të ngushtë me edhe me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe ministritë tjera.