Me 19 qershor organizata Mundësia, anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), organizoi një debat me temën: “E drejta e fëmijëve në shkollim”. Ky debat ishte pjesë e inicativës “Promovimi dhe Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijës”, i cili ka për qëllim që t’i fuqizojë komunitetet lokale për t’i përmirësuar masat e mbrojtjes së fëmijëve në shkolla përmes vetëdijesimit, ndërmjetësimit dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.
Pjesë e këtij debati ishin: Hasime Tahiri-Hasani nga organizata Mundësia, Ardita Kabashi nga Qendra për Arsim e Kosovës, Myrvete Hasani nga Handikos Mitrovica dhe Arbenita Hajzeri pedagoge.
Debati u fokusua në sfidat dhe pengesat që kanë fëmijët në viset rurale për të vazhduar shkollën e mesme, sepse dihet që numri i të rijnëve që nuk vazhdojnë shkollën e mesme në viset rurale është mjaft i lartë. Për këto u informuan edhe përfaqësuesit e institucioneve si drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të ulët në Komunën e Mitrovicës, përfaqësues nga Komuna e Mitrovicës, Policia e Kosovës, OSBE, Zyra e Avokatit të Popullit në Mitrovicë dhe Save the Children, të cilët ishin të pranishëm për të dëgjuar dhe për të gjetur zgjidhje për këto probleme, edhe përmes ndonjë bashkëpunimi potencial.
Hasime Tahiri – Hasani Drejtore Ekzekutive e organizatës Mundësia hapi takimin duke përshëndetur të pranishmit. Ajo poashtu u shpreh se organizata që ajo drejton me vite angazhohet dhe mbështet aktivitetet në zonat rurale me qëllim që sa më shumë fëmijë në këto zona të vazhdojnë shkollimin.
“Konventa evropiane e të drejtave të njeriut duhet të njihet dhe respektohet. Në këtë drejtim e drejta për shkollim dhe edukim duhet të jetë prioritet veçanërisht në zonat e thella rurale që vazhdojnë të ballafaqohen me gjendje të rëndë ku vazhdimi i shkollimit për gra dhe vajza ende vihet ne dilemë. Me vite kemi mbështetur shkollimin e vajzave në disa lokalitete si Vllahi, Rashan edhe Skromë të Vushtrrisë”, u shpreh Hasime Tahiri-Hasani.
Rekomandimet që dolën pas këtij diskutimi ishin të drejtuara kryesisht për Drejtorinë e Arsimit në Mitrovicë dhe si prioritet u theksua shkollimi për fëmijët me nevoja të veçanta. Rekomandimet tjera përfshinin: sigurimin e transportit për nxënës nga zonat rurale, ngritja e vetëdijes për drejtat në arsim dhe barazi, dhe kujdesi dhe kontrolli më i madh për fëmijët gjatë ndryshimit të ciklit shkollor.