Musine Kokalari – disidentja që nuk u dorëzua kurrë

Historitë e grave të guximshme janë të shumta ndër ne dhe pa dyshim se Musine Kokalari është një nga to.

Musine Kokalari ishte shkrimtarja e parë grua shqiptare, feministe, disidente e regjimit komunist dhe aktiviste politike në periudhën ndër më të rëndësishmet të zhvillimeve politike në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

“Musine Kokalari ishte një nga gratë më brilliante që Shqipëria kishte. Në moshën e saj të re ajo ishte një nga vajzat më të emancipuara të Shqipërisë, shkrimtare me shumë sharm. Ishte një njeri që kur erdhi mendohej se do të ishte dielli që do të ndriçonte shoqërinë shqiptare dhe më pas komunizmi e arrestoi, e futi në burg,” shprehet për të publicisti Blendi Fevziu, i cili në librin e tij për Enver Hoxhën një pjesë të madhe ia ka kushtuar Musine Kokalarit dhe familjes së saj.

VARRIM PA LAMTUMIRË / MUSINE KOKALARI - YouTube

Musine Kokalari ishte themeluese dhe figura kryesore e Partisë së parë Socialdemokrate të Shqipërisë, e cila ishte njëkohësisht një prej grupimeve të para domethënëse politike kundërshtare ndaj regjimit enverist. Rrjedhimisht, Musineja e kaloi pjesën më të mirë të jetës si e burgosur politike dhe e torturuar për shkak të bindjeve të saj demokratike, nga të cilat nuk u zbraps asnjëherë.

Ajo e refuzoi dhe luftoi kategorikisht totalitarizmin dhe u ngrit kundër hegjemonisë e monopolit të partisë-shtet, parti kjo që insistonte në mendim të njëtrajtshëm e në aktivizëm njëdimensional politik, sipas diktatit të partisë.

Kur u arrestua më 23 janar të vitit 1946 nga regjimi i Enver Hoxhës dhe u dënua si “sabotuese dhe armike e popullit” nga Gjyqi Ushtarak i Tiranës me 30 vjet burgim, të cilat më pas u reduktuan në 20, Musine Kokalari mbajti këtë qëndrim:

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!”

Me këtë vetëmbrojtje dhe me qëndrimin e saj ajo i tha jo komunizmit. I tha jo dhunës, mungesës së lirisë dhe padrejtësive. Dhe vijoi t’i thoshte jo gjatë gjithë jetës së saj.

E lindur më 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë, Musine Kokalari bashkë me familjen u kthyen më 1921 në Gjirokastër, qyteti i prejardhjes familjare. Që në moshë të re, Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë dhe për folklorin.

E shkolluar fillimisht në Tiranë, ajo studioi në Fakultetin e Letërsisë Moderne në Universitetin “La Sapienza” në Romë të Italisë. Musine Kokalari botoi veprën e saj letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë” më 1941, që trajtonte çështjet e gruas dhe të shoqërisë patriarkale.

Krahas punës vetjake letrare, ajo ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës. Përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në qershor të 1943 nën pseudonimin “Tacitta”. Më 1944, Musineja publikoi dy veprat e saj me titujt “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt Jeta”.

Që nga fillimi i vitit 1942, Musine Kokalari angazhohet në lëvizjet antifashiste dhe antikomuniste në Romë. Më 1943, ajo është një nga themelueset dhe frymëzueset kryesore të Partisë Social–Demokrate. Si pjesë e këtij projekti politik, ajo publikon më 1 janar 1944 numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë”, si gazetë zyrtare e Partisë Social-Demokrate.

Vëllezërit e saj, Muntaz e Vejsim Kokalari, iu pushkatuan pa gjyq më 12 Nëntor 1944. E përndjekur nga pushkatimi i vëllezërve dhe duke qenë themeluese e Partisë Social-Demokrate dhe të organit të shtypit “Zëri i lirisë”, Musine Kokalari u arrestua dy herë përgjatë periudhës 13-28 nëntor 1945.  Në vitin 1946 Musine Kokalari arrestohet për t’u mbajtur gjatë në burg, ku iu nënshtrua torturave të tmerrshme të regjimit. Më 1964, pas 16 viteve burgim në burgun famëkeq të Burrelit, e izoluar dhe nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit. Musine Kokalari kaloi 19 vitet e tjera të jetës së saj në internim në Rrëshen, nga ku doli në pension me gjysmë page. Ajo punoi fshesare dhe 11 vjet në ndërmarrjen e ndërtimit, mes tullave, llaçit dhe betonit.

Megjithë përndjekjen e vazhdueshme dhe mungesën e kushteve minimale, Musine Kokalari arriti ta përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social-Demokrate”, ku ajo shpjegon alternativën e saj progresiste dhe demokratike.

Musine Kokalari ishte një nga 30 shkrimtarët e parë të burgosur që u regjistruan në vitin 1960 nga Komiteti i Treshit (pararendës i Klubit PEN).

Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit. Asaj iu refuzua kurimi në spitalin shtetëror onkologik. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekje i shkaktuan vdekjen në izolim të plotë në gusht të vitit 1983. Ajo u rivarros më vitin 1991 në Shish – Tufinë.

Më 1993, Musine Kokalari u shpall “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.