Në Graçanicë rreth 5 mijë persona ndërgjegjësohen për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje

Mungesa e perspektivës, rruga deri te arritja e barazisë gjinore dhe pavarësisë ekonomike vazhdojnë të jenë disa ndër sfidat për gratë dhe vajzat në komunën e Graçanicës.

Për të ndihmuar në tejkalimin e këtyre sfidave, Këshilli Rinor i Graçanicës, përgjatë periudhës 1 maj 2022 deri më 31 dhjetor të 2022 -tës, përmes aktiviteteve të ndryshme ka arritur të rrisë vetëdijen e pesë mijë grave dhe burrave nga qyteti i Graçanicës dhe fshatrat Donja Gusterica dhe Laplje Selo për rëndësinë që ka pjesëmarrja aktive e grave në shoqëri.

Ky Këshill si përfitues i grantit nga raundi i 17-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK) i mbajti këto aktivitetet në kuadër të nismës “Fuqizimi i grave të reja me synim arritjen e pavarësisë ekonomike dhe pjesëmarrjen aktive në proceset vendimmarrëse.”

Ndër rezultatet e arritura janë forcimi i kapaciteteve të 40 grave për të marrë pjesë aktive në të gjitha rrjedhat e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike në territorin e komunës dhe rritja e pjesëmarrjes aktive të grave në politikën lokale, e promovuar edhe përmes paraqitjeve mediatike dhe në rrjete sociale.

Në kuadër të nismës është prezantuar edhe analiza e akteve ligjore për barazinë gjinore dhe përmirësimi i pozitës së gruas, si dhe masat që janë ndërmarrë  në nivel lokal të komunës së Graçanicës.

Dušan Borisavljević, kryetar i Këshillit Rinor të Graçanicës gjatë një prononcimi për KALLXO.com ka treguar se përmes këtij projekti ata janë munduar të kuptojnë më shumë për gjendjen e grave në këtë komunë dhe për problemet me të cilat përballen ato më së shumti.

Në tryeza dhe forma tjera të diskutimit ata kanë ftuar gra të suksesshme të Graçanicës për të ndarë përvojat e tyre me pjesëmarrësit e këtyre takimeve.

“Mendoj se problemi më i madh në komunën tonë është papunësia. Ky është problem shumë më i rëndë për gratë sesa për burrat, sepse shumë gra nuk kanë vetëbesim të mjaftueshëm, dhe shumë herë familja nuk qëndron pranë tyre”.

Borisavljević ka përmendur si problem edhe dhunën ndaj grave dhe sfidat me arsimin, sipas tij për shkak të mungesës së larmisë së universiteteve në gjuhën serbe në Kosovë.

“Këtu kemi një lloj fakulteti, është një lloj fakulteti i bujqësisë këtu. Shumë persona gjatë trajnimeve na thanë se njerëzit që nuk janë mjaftueshëm të fuqizuar ekonomikisht nuk mund të përballojnë të studiojnë në Beograd. Për të studiuar në Prishtinë ata nuk e dinë gjuhën. Për të studiuar në Mitrovicë nuk ndihen të lirë apo ku ta di,” tha ai.

Por, Kreu i Këshillit Rinor të Graçanicës ka një mesazh.

“Unë thjesht dua të shtoj se shumë njerëz na thanë se ata ndjejnë se ky vend nuk është një vend ku mund të arrijnë ëndrrat e tyre. Kurse unë vetëm dua t’iu them se arritja e ëndrrave nuk do të jetë më e lehtë diku tjetër, ata thjesht duhet t’i marrin gjërat hap pas hapi,” përmbylli Borisavljević.

Ky projekt i Këshillit Rinor të Graçanicës u mbështet nga FGK, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.