Në përkujtim të Vesna Kesiqit mblidhen online aktivistet nga rajoni dhe më gjerë

Në përkujtim të aktivistes kroate dhe gazetares feministe, Vesna Kesiqit u organizua takimi i dytë i radhës online i aktivisteve feministe nga hapësirat e ish-Jugosllavisë, por edhe nga vendet e ndryshme të botës, të cilat përgjatë viteve kanë kontribuar në zhvillimin e lëvizjes feministe në këtë rajon.

“Synimi ynë ishte që të dëgjohen histori të ndryshme përvojash për vlerat feministe të lëvizjes kundër luftës, që ishin modele frymëzimi para nesh, si dhe për solidaritetin për gratë përtej kufijve,” kanë thënë organizatorët.

Një ndër folëset në këtë takim ishte edhe aktivistja feministe Igballe Rogova, e cila kujtoi ngjarjet dhe organizimet e viteve të 90-ta të organizatave të grave të Kosovës, lëvizjet paqësore sikur që ishte “Protesta me bukë në dorë” dhe shumë të tjera.

Ajo gjithashtu foli për përvojat që kishte me rrjetëzimin e aktivisteve tjera nga rajoni dhe më gjerë. Në këtë kuadër, Rogova përmendi organizimet vjetore të konferencave ndërkombëtare të “Grave në të zeza,” gjatë të 90-tave, i cili rrjetëzim nuk u ndal aty, por vazhdoi edhe pas luftës dhe sidomos me bashkimin e zërave në “Koalicionin e Grave për Paqe.”

Ky rrjetëzim i bërë në kohën e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, u forcua edhe më shumë me aktin e kërkimfajles së grave serbe për krimet e kryera në Kosovë nga forcat serbe të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

“Ky akt i kërkimfaljes forcoi themelet e bashkëpunimit dhe të besimit ndaj njëra-tjetrës,” ka thënë ndër te tjera Rogova.

Aktivistet tjera nga rajoni dhe më gjerë kujtuan aktivitetet që u bënë në kohën kur shumë shtete ishin në luftë, si ne Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci e më pas në Kosovë dhe se si ato kontribuuan në përkrahjen e aktiviteteve në rajon.

Pjesëmarrëse tjera në takimin ishin aktivistet dhe feministet Vesna Janković nga Zagrebi, Jasminka Drino Kirlić nga Gornji Vakuf/Uskoplje, Lepa Mlađenović nga Beogradi, Hannah Safran nga Haifa, Paula Petričević nga Kotori, Jelka Zorn nga Ljubljana, Rebecca Johnson nga Londra, Madeleine Rees nga Gjeneva dhe Gorana Mlinarević nga Sarajeva.