Lobi për Barazi Gjinore (Lobi) që nga themelimi i tij në vitin 2014 ka pasur rol kyç në përmirësimin e kushteve të jetës së grave dhe vajzave anë e mbanë Kosovës.
Angazhimi për arritjen e barazisë gjinore gjithnjë është shoqëruar me fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. Në këtë fushë, shembull suksesi është Linda Shahini, ish-kryesuese e Grupit të Grave të Komunës së Lipjanit dhe ish- anëtare e Kuvendit Komunal.
Shahini vlerëson mbështetjen e marrë nga Lobi, duke thënë se gjatë rrugëtimit të saj përkrahja e Lobit ka qenë në shumë forma, si trajnime, dhe takime te ndryshme me gra.
“Lobi ka qenë urë lidhëse mes neve dhe grave të tjera në mbarë Kosovën. Kjo ka ndihmuar shumë që për çdo nismë tonën të kemi mbështetjen e duhur”, thotë ajo.
Gjatë vitit 2019 Lobi në Lipjan ka avokuar për fuqizimin e grave si dhe ka mbështetur gratë në biznes dhe zanate nëpërmjet projektit të UNDP-së, ku janë mbajtur trajnime për biznes, zanate, gastronomi. Shahini shpalos përfitimet nga ky bashkëpunim. Ky projekt ka qenë i përbashkët me Komunën kurse Lobi në Lipjan ka ofruar përkrahje përmes informimit të grave.
“Ky bashkëpunim ka qenë shumë frytdhënës, së pari sepse në këtë nismë janë përfshirë numër i madh i grave përfituese. Pastaj, sepse të gjitha këto gra kanë marrë informata të rëndësishme për krijimin dhe zgjerimin e bizneseve. Madje disa gra kanë hapur bizneset e tyre”.
Takimet e përbashkëta me gra nga i gjithë vendi, Shahini i sheh si një nga mundësitë më të mira për gratë e po ashtu edhe për Lobin.
“Kjo për faktin se kemi mundësinë të mësojmë nga njëra-tjetra, të forcojmë bashkëpunimet ndërmjet vete, si dhe të ndërmarrim nisma të reja. Këto takime janë të rëndësishme, sepse çdo nismë të suksesshme që kam dëgjuar jam munduar ta nis edhe në komunën time, një ashtu të tjerat kanë marre nisma nga unë”, shton ajo.
Ajo tutje tregon se përveç arsyeve të lartpërmendura, Lobi ka vlerë të madhe për të, sepse aty gjen ndër mbështetjet më të mëdha për çdo gjë.
Shahini si mesazh për fund porosit vajzat që t’i japin rëndësi të madhe shkollimit dhe edukimit, si një mënyrë për forcimin dhe pavarësimin e tyre.
Kliko KËTU për të lexuar storien e Lobit në Kllokot.