Nita Rudi përkrah nismën e RrGK për ta adresuar diskriminimin në punë

Nita Rudi është juriste e sapodiplomuar nga Universiteti i Prishtinës. Aktualisht është stazhiste si Asistente Ligjore me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), ku është përfshirë në një mori nismash, duke u fokusuar në monitorimin e rasteve të diskriminimit gjinor në punë.
Projekti në të cilin po asiston aktualisht përqendrohet në Luftimin e Diskriminimit dhe Avancimin e të Drejtave të Punës të Grave. Përgjegjësitë e saj përfshijnë monitorimin e mediave dhe të rasteve gjyqësore në lidhje me diskriminimin gjinor në punë. Po ashtu, ajo ka asistuar në përgatitjen e udhëzimeve dhe të materialeve që do të lehtësojnë ofrimin e këshillave ligjore për gratë që mund të kenë përjetuar diskriminim në punë.
Më parë, Nita ka qenë e angazhuar në programe të ndryshme si shtazhiste nëpërmjet të cilave ka fituar njohuri për pjesëmarrjen në politikat publike dhe proceset e vendimmarrjes. Ajo ka kontribuar edhe në hulumtimin mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë për sigurimin e punësimit në Administratën Publike të Kosovës duke anketuar të rinjtë. Ajo e ndjen se puna me njerëz të margjinalizuar përmes një organizate joqeveritare ka kontribuar në përgatitjen e saj si profesioniste e re.
Nita është e pasionuar për barazinë gjinore dhe prandaj e pa mundësinë për të punuar në RrGK si shumë të përshtatshme për ta avancuar karrierën e saj. Ajo shpreson ta ndihmojë shoqërinë kosovare duke avancuar barazinë gjinore dhe duke ofruar kushte të barabarta pune për të gjitha gratë dhe vajzat. Për më tej, pas bashkimit me ekipin e RrGK-së, Nita e ka zhvilluar më tej interesimin për përkrahjen e grave dhe të vajzave që kanë pësuar dhunë dhe diskriminim me bazë gjinore.
“E pashë këtë mundësi si sfidë emocionuese që do ta ndiqja, që mandej do të ishte e dobishme për karrierën time”, thotë ajo. “Për më shumë, jam shumë e interesuar të zbatoj të gjitha njohuritë e mia teorike dhe të gjitha aftësitë e mia të fituara gjatë arsimimit dhe përvojës së punës për të shërbyer si model për vajzat më të reja që duan ta ndryshojnë shoqërinë nëpërmjet ligjit dhe drejtësisë”.
Ajo pret me padurim që të vazhdojë të ndihmojë në avancimin e pjesëmarrjes së barabartë të grave dhe të vajzave në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare