Ministria e Integrimit Evropian (MIE), me përkrahjen e Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), organizoi më 5 shkurt një konsultim publik lidhur me draft Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2018 – 2022. Ky konsultim u realizua pas qarkullimit të draftit të këtij dokumenti të anëtarësimit në shoqërinë civile, me qëllim që ajo të jepte drejtpërdrejt komentet e veta lidhur me draftin. Gjithashtu, ky eveniment u organizua për të prezantuar për publikun “Udhëzuesin për konsultimet me OSHC-të dhe palët e tjera të interesuara në organet e stabilizimit dhe asociimit midis BE-së dhe Kosovës”.
Me përkrahje nga fondacioni “Kvinna till Kvinna”, Rrjeti i Grave të Kosovës ka dhënë komente për PKZMSA-në që prej vitit 2016, duke përfshirë këtë raund të fundit për programin e periudhës 2018-2022. Gjatë takimit, zyrtarët e MIE-s thanë para publikut se planet për të ardhmen përfshijnë edhe themelimin e një indeksi të barazisë gjinore nga ana e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ), mbledhjen e të dhënave të ndara sipas gjinisë nga secili institucion dhe vazhdimin e zbatimit të masave afirmative në formën e udhëzimeve administrative për regjistrimin e përbashkët të pronës nga partnerët. Falë punës së suksesshme të ABGJ-së, tashmë janë ndërmarrë këta hapa të rëndësishëm drejt arritjes së një politikëbërjeje më të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore. Më tej, RRGK-ja ka bërë presion për këto reforma duke përdorur mënyra të ndryshme, madje edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, lidhur me dokumentet e anëtarësimit të Kosovës. Gjithashtu, një zyrtar i GIZ-it e përgëzoi RRGK-në për kontributin që ka dhënë në pjesët ekonomike të PKZMSA-së, duke thënë se ky kontribut është tepër i dobishëm dhe i nevojshëm.
Hapat e tjerë që do të ndërmerren nga RRGK-ja përfshijnë regjistrimin për raundet e ardhshme të konsultimeve që do të organizohen nga MIE-ja lidhur me sektorë të ndryshëm në kuadrin e PKZMSA-së.