Me datë 27 mars, Shoqata e Juristëve “NORMA”, njëherit organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), organizoi publikimin e “Udhëzuesi i Edukimit Ligjor për Organizatat e Shoqërisë Civile për Mbrojtje nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhunës në Familje”, ngjarje kjo që u mbajt në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian (EUICC).
Drejtorja Ekzekutive e “NORMA”, Znj. Valbona Salihu, bëri hapjen e diskutimit, duke njoftuar pjesëmarrësit për përmbajtjen e dokumentit. Ajo, poashtu, falënderoi UN Women dhe Zyren e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë për përkrjahen e publikimit të këtij udhëzuesi dhe të aktiviteteve tjera që do të jenë si vazhdimësi e këtij publikmi.
Përfaqësuejsa e UN Women në Kosovë, znj. Flora Macula, theksoi se dhuna në baza gjinore është një fushë në të cilën UN Women ka qenë e angazhuar që nga fillimi. Ajo poashtu informoi pjesëmarrësit/et për punën që UN Women ka bërë si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror, për të krijuar mekanizma shumë dimensional për luftim të dhunës në baza gjinorem, duke theksuar se përkrahja e publikimit të këtij udhëzuesi është në vazhdën e kësaj pune.
Ndër të tjera, znj. Macula theksoi se “edhe pse kemi përmirësime në luftimin e dhunës në baza gjinore, duhet më shumë përkushtim dhe investim kapital e njerëzor nga ana e shtetit.”
Në anën tjetër, Znj. Edi Gusia, Drejtore e Agjencionit për Barazi Gjinore (ABGj) në Kosovë, tha se “ABGj mbetet një prej institucioneve kyçe për krijimin e mekanizmave ligjor për luftimin e dhunës në baza gjinore.” Ajo më tutje theksoi rëndësinë e luftimit të dhunë në baza gjinore, veçanërisht kur e kemi parasysh që si pasojë e saj vetëm në fillim të këtij viti, kemi patur disa raste tragjike.
Pozitive u vlerësua emërimi i Kordiantorit Nacional kundër Dhunës në Familje, si dhe licencimi i strehimores në Prishtinë, e cila që nga dhjetori i vitit 2016 ishte e mbyllur. Tutje, znj. Gusia vuri në pah se “Bashkëpunimi në mes të shoqërisë civile dhe qeverisë është dëshmuar si një praktikë e mirë.”
Ndërkaq, ekspertja ligjore Ariana Qosaj Mustafa, njëherësh anëtare e bordit të RrGK-së, u shpreh se “ky udhëzues është mjaft gjithëpërfshirës dhe multidiminesional dhe rolin e tij në lehtësimin e punës së shoqërisë civile, por edhe të institcioneve tjera qeveritare që kanë rol zbatues e që do të përfitojnë nga ky udhëzues”, pasi që sipas saj, “ky dokument ngërthen në vete mjaft mirë të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe ligjet vendore që kanë për qëllim ta luftojnë dhunën në baza gjinore.”
Znj. Qosaj Mustafa poashtu theksoi edhe punën që RrGK ka bërë me dërgimin e komenteve për ndryshim të Kodit Penal, si dhe kërkesën për futjen e një definicioni adekuat të dhunës në familje dhe dënimet adekuate për kryesit e kësaj vepre, në harmoni më konventat ndërkombëtare. Më tutje, ajo poashtu theksoi rëndësinë e dënimeve adekuate për kryesit e dhunës në familje, si një formë e duhur për të luftuar dhunën në familje.
Paneli u vazhdua me pyejte dhe përgjigje nga pjesëmarrësit dhe panelistet e pranishme.