Pjesëmarrja e grave dhe vajzave me aftësi të kufizuar në politikë – e ulët

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) – anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), ka mbajtur takim pune me temën “Motivimi i Grave me Aftësi të Kufizuara për pjesëmarrje në politikë” me ç’rast ka vënë në pah problemet dhe sfidat me të cilat përballen vajzat dhe gratë me aftësi të kufizuara.

Në takim u bë e ditur se nga gjithë Kosova, aktualisht është vetëm një asambleiste në Kuvendin Komunal të  Prizrenit, që i përfaqëson gratë e vajzat me aftësi të kufizuar. Ajo është Egzona Hoxhaj, e cila tha se as në nivelin qendror, por as në asnjë qytet tjetër në nivelin lokal nuk ka gra me aftësi të kufizuara të punësuara në pozita vendimmarrëse.

“Unë jam e vetmja vajzë me aftësi të kufizuar e përfshirë në politikë, pra kam fituar me vota pa kuotë gjinore në zgjedhjet e fundit komunale. Është për keqardhje  dhe pak e pabesueshme se si nuk ka arritur asnjë vajzë ose grua të jetë pjesë e Kuvendeve Komunale, apo në nivel qendror në gjithë Kosovën”.

Resmije Rahmani (Biba) mobilizuese në kuadër të projektit “Motivimi i Grave me Aftësi të Kufizuara për pjesëmarrje në politikë” në OPDMK, në anën tjetër tha se takimet e tilla janë më se të mirëseardhura, për shkak se në vazhdimësi gratë e vajzat me aftësi të kufizuar ndihen të anashkaluara. Andaj sipas saj këto takime informojnë dhe e ngrisin vetëdijen e kësaj kategorie të shoqërisë.

“Mund të them se ne nuk jemi të pranuara në shoqëri, edhe prej vetë grave që janë në pozita vendimmarrëse. Andaj këto takime e ngritin vetëdijen e vajzave  dhe grave me aftësi të kufizuara me raste të rralla fatkeqësisht, por që me shpresë se do të depërtojnë në pozitat politike e rrjedhimisht vendimmarrëse. Ura e vetme jemi ne si organizatë që sado pak t’i aktivizojmë dhe të jenë në rrjedha në takime, ku ngritet vetëdija për të drejtat e tyre”.

Ajo tha se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë shumë pak të përfshira në punësim, por për fat të mirë në Prizren është një përfaqësuese në Kuvendin Komunal ku ato i adresojmë problematikat e tyre.

“Është urë lidhëse e vetmja asambleiste Egzona Hoxhaj, dhe njëherësh është pikë kontakti i parë për gjitha problemet tona, e që më pas i adreson. Prej kur ka marrë pozitën ajo ka përmirësime në jetën e personave me aftësi të kufizuar. Pas 13 vjetësh komuna na ka nda një zyre për Organizatën tonë, dhe kjo është një hap pozitiv, bashkërisht me përfaqësuesen”, tha ajo.

Në zgjedhjet e vitit 2021 në të gjitha komunat e Kosovës kanë qenë në garë 11 kandidatë me aftësi të kufizuar, pesë prej tyre gra. Ndërsa kjo flet për pjesëmarrjen e kësaj kategorie në politikë, Egzona Hoxhaj tha se “me gjithë këtë hendek krahasuar me vitet e kaluara pjesëmarrja për garë ka qenë më e kënaqshme në vitin 2021”.

Në këtë takim asambleiste dhe politikane nga komuna e Prizrenit i kanë ndarë  përvojat e tyre në politikë me gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara.

Aktiviteti i OPDMK-së është mbajtur falë grantit të përfituar në raundin e 18-të i Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së për mbështetje organizative, financuar nga Fondacioni Sigrid Rausing.