Puna vullnetare-parakusht për të ngritur solidaritetin dhe barazinë shoqërore

Më 20 dhjetor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mirëpriti në takim disa prej vullnetarëve të angazhuar në iniciativa të ndryshme të RrGK në kuadër të programit për vullnetarë.

Qëllimi i këtij takimi ishte që të shkëmbejmë përvojën nga angazhimi në iniciativa të ndryshme të mëhershme si dhe të diskutojmë për mundësitë e përfshirjes së vullnetarëve në iniciativat e ardhshme të RrGK, por edhe tek organizatat anëtare.Për angazhimin e vullnetarëve, RrGK ka zhvilluar një program më specifik i cili synon të krijojë një mekanizëm të qëndrueshëm për punë vullnetare brenda organizatës, por edhe direkt tek disa nga 193 organizatat tona anëtare nëpër tërë Kosovën.

Qëllimi i këtij programi është që të përfshijë më shumë aktivistë në avancimin e feminizmit në Kosovë. Gjithashtu, programi u ofron vullnetarëve mundësi që të shohin nga afër punën e organizatave të vogla për të drejtat e grave, punën e tyre në komunitete e po ashtu edhe nevojat e grave në nivelin lokal.

Etleva Malushaj, Koordinatore e Projektit në RrGK, ka njoftuar pjesëmarrësit me historikun e angazhimit të vullnetarëve si dhe rëndësinë e këtij programi për fuqizimin e solidaritetit dhe lëvizjes feministe në Kosovë. “Rrjeti i Grave vazhdimisht krijon mundësi që të përfshijë sa më shumë vullnetarë në organizatë. Ne e vlerësojmë shumë punën vullnetare dhe besojmë se vetëm përmes punës së përbashkët mund të sjellim ndryshimet e nevojshme në shoqëri”, tha Malushaj.

RrGK beson se puna vullnetare është parakusht për të ngritur solidaritetin dhe barazinë shoqërore, andaj në vazhdimësi ka përfshirë vullnetarë, si brenda organizatës po ashtu edhe përmes fushatave të ndryshme.

Këta vullnetarë, por edhe disa vullnetarë të tjerë të përfshirë në organizatat anëtare të RrGK-së, janë angazhuar në kuadër të nismës katër-vjeçare të RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.