Punëtoria tre ditore e RrGK-së synon fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet strehimoreve  

Më 16, 17 dhe 18 maj në Durrës u mbajt punëtoria “Fuqizimi i bashkëpunimit mes strehimoreve në Kosovë”. E organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), kjo punëtori, mblodhi së bashku përfaqësueset e strehimoreve dhe qendrave ditore për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe trafikimit me qenie njerëzore. 

Përveç rrjetëzimit dhe ndarjes së përvojave ndërmjet punonjëseve të strehimoreve dhe qendrave ditore, gjatë kësaj punëtorie pjësmarrëset diskutuan edhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen gjatë punës.  

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së tha se pa reagim nuk mund të ketë ndryshim. 

“Ne do të përkrahim njëra- tjetrën, të bashkuara do të avokojmë për përkrahje më të madhe për punën tuaj me qëllim të mbështetjes sa më të mirë ndaj viktimave të dhunës me bazë gjinore dhe viktimave të trafikimit”, u shpreh Rogova.  

Fidane Hyseni nga strehimorja e Mitrovicës ndau me të pranishmet një ndër vështirësitë gjatë aktivitetit të tyre. 

“Një sfidë e shpeshtë që ne po e hasim është mos zbatimi i alimentacioneve nga ish-bashkëshortët e grave të strehuara. Ata (ish-bashkëshortët) po i ndryshojnë llogaritë  bankare dhe po është vështirë të përcillen të hyrat e tyre. Kjo direkt po ndikon në mirëqenien e gruas dhe fëmijës, pasi që përveç përvojës traumatike të dhunës, gratë dhe fëmijët po mbesin edhe pa bukë e ujë”, u shpreh ajo. 

Aktivistja feministe nga Serbia, Lepa Mladjenovic foli më shumë në lidhje me të kuptuarit e strukturës së patriarkatit dhe dhunën si formë për mbajtje të pushtetit nga burrat.  

“Të qenit grua apo burrë është konstrukt shoqëror dhe rolet e ndërlidhura me këto dy gjini janë kryekëput të krijuara nga sistemi patriarkal, i cili gjithmonë e favorizon burrin dhe e sheh në pozitë më të lartë se gruan”, tha Mladjenovic.  

Në ditën e tretë të punëtorisë Ariana Qosaj-Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së njoftoi pjesëmarrëset për manualin për menaxhimin e rasteve për strehimoret e dhunës në familje, manual ky i hartuar në përputhje me kërkesat e Konventës së Stambollit.  

Kjo punëtori u organizua nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe u përkrah nga UN Women.