“Nëse nuk arrijmë t’i bëjmë gjeneratat e ardhshme më të dijshme dhe më të afta se ne vetë atëherë kemi dështuar.”
Doktoresha Qamile Jaka, stomatologia e parë shqiptare në Kosovë, punoi pa pushuar për ta jetësuar këtë thënie të saj.
Ajo u bë burim i inspirimit dhe vullnetit për gjeneratat e reja të stomatologëve të Kosovës
Ndërsa në fëmijërinë dhe rininë e saj, shkollimi ishte sfidë më vete, Qamile Jaka, një vajzë e lindur në Tropojë, kreu shkollën fillore dhe të mesme në Gjakovë.
Ajo hyri në historinë e Kosovës duke u bërë stomatologia e parë shqiptare, e cila u kthye në vendlindje pasi që kreu studimet në Universitetin e Beogradit. Në vitet e ’60-ta kur ajo mbaroi studimet, Kosova nuk kishte asnjë stomatolog.
“Stomatologu i parë shqiptar në Kosovë ishte Xhevat Rizvanolli dhe stomatologia e parë shqiptare në Kosovë është doktoresha Qamile Jaka, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe kanë zhvilluar përveç ushtrimit të profesionit edhe e kanë zhvilluar stomatologjinë, duke e vlerësuar në popull dhe duke e bërë të mundshmne që rinia e asaj kohë të përcaktohet për këtë profesion, “ka thënë për një medium kosovar, dr Hasan Mehmeti, ndërsa foli për fillet e stomatologjisë në Kosovë.
Bashkë me kolegët që sapo kishin mbaruar stomatologjinë ne universitetet e ish- Jugosllavisë, Qamile Jaka vuri themelet e Katedrës së Stomatologjisë dhe në të njëjtën kohë bëri shumë për të vetëdijesuar popullatën për rëndësinë e shëndetit dentar.
Specializimin nga lëmia “ortopedia e nofullave” dhe studimet pasdiplomike zonja Qamile i kreu në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Beogradit, ku në të njëjtin Universitet e ka mbrojtur edhe temën e magjistraturës. Kurse temën e doktoraturës e ka mbrojtur në vitin 1986 në Universitetin e Prishtinës.
Që nga vitit 1980 punoi në Degën e Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë, së pari si asistente pastaj si profesoreshë e lëndës “Ortopedia e nofullave”.
Gjatë veprimtarisë së saj ka qenë e angazhuar në shumë aktivitete: si delegate e Këshillit Qendror të Punëtorëve të Fakultetit të Mjekësisë, anëtare e Sekretariatit të Shoqatës së Stomatologëve, po ashtu edhe anëtare e Komisionit për Veprimtari Shëndetësore dhe Specializime të Fakultetit të Mjekësisë.
Më vonë, në vitin 1991, u largua nga puna nga regjimi i atëhershëm serb. Është autore dhe bashkautore e mbi 70 punimeve shkencore profesionale të prezantuara në kongrese dhe simpoziume profesionale të botuara në revista shkencore profesionale. Pas vdekjes iu dha Dekorata “Nderi i Stomatologjisë Kosovare” nga Oda e Stomatologëve të Kosovës.
Kjo dekoratë i jepet stomatologut në rastet kur për veprat dhe emrin e tyre nderojnë komunitetin e stomatologëve brenda dhe jashtë vendit; të ketë veprimtari të shquar dhe cilësore në fushën e stomatologjisë në vijueshmëri; të ketë veprimtari ose vepra të njohura profesionale dhe shkencore si brenda dhe në mënyrë të veçantë jashtë territorit të Republikës së Kosovës; të ketë kontribut të shquar dhe merita të veçanta në fushën e stomatologjisë.
Qamile Jaka lindi në vitin 1948 në Tropojë dhe vdiq në vitin 2007.