Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) është një organizatë jo qeveritare e themeluar në vitin 1999, e cila ka per mision që të mbrojë, të aftësojë dhe të promovojë të drejtat themelore të njeriut, në veçanti të të mbijetuarve të torturës si dhe formave të tjera të dhunës, e përmbush përmes trajtimit dhe rehabilitimit multidiciplinar, fuqizimit socio-ekonomik, avokimit për reforma ligjore dhe institucionale si dhe sigurimin e një drejtësie për viktima që në një formë ose tjetër kanë qenë pjesë e dhunës direkte ose indirekte.
Rrugëtimi i QKRMT-së filloi gjatë kohës së luftës në Kosovë ku Feride Rushiti, tani drejtore ekzekutive e organizatës, ka qenë e angazhuar që të ndihmojë refugjatët e Kosovës. Në atë kohë, ajo ka qenë koordinatore e disa projekteve nga Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Traumës në Shqipëri, ku edhe filluan aktivitetin. Puna e saj gjatë kësaj kohe ka qenë kryesisht punë vullnetare, ndërsa pas luftës u kthyen në Kosovë dhe ngritën iniciativën me bashkëpunëtor si Jens Modvig dhe Sibylle Rothkegel për themelimin e QKRMT-së.                                                                                                      
            Si organizata e parë profesionale joqeveritare në fushën e shëndetit mendor,  QKRMT është marrë me viktimat e traumës, torturës, dhe dhunave të ndryshme. Për shkak të target grupeve të ndjeshme që trajtojnë, kjo organizatë ka kaluar në sfida të ndryshme dhe këto ditë ende luftojnë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës. QKRMT është e mbështëtur nga donacionet ndërkombëtare, si dhe gjatë kohës kur në post ishte Presidentja Atifete Jahjaga, kanë pasur bashkëpunim në projekte të ndryshme, sidomos në lidhje me viktimat e dhunës seksuale, ku QKRMT ka pasur një rol udhëheqës dhe të rëndësishëm në atë segment.
QKRMT ka avokuar fuqishëm për viktimat e dhunës seksuale,duke e futur këtë kategori në  Ndryshim – Plotësimet e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, i cili qe dy vite nga miratimi nuk ka filluar së zbatuari. Së fundi, QKRMT ka promovuar mungesën e zbatimit të këtij ligji në fushatën e 26 qershorit që e bëjnë çdo vit, për Ditën Ndërkombëtare të të Mbijetuarve të Torturës, duke insistuar në funksionalizimin e Komisionit verifikues, ashtu siç është paraparë me ligj. Ndër të tjera, kjo organizatë mban trajnime dhe seminare mbi dokumentimin dhe vetëdijësimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ku bëhet dokumentimi i të dhënave në një nivel të lartë privatësie si dhe ka udhëhequr  përgatitjen e formularit për aplikim për realizimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.  
Andaj kjo organizatë ka zgjeruar aktivitetet e tyre dhe në komuna të tjera si Skënderaj, Vushtrri, Suharekë dhe Drenas, ku në këtë të fundit sivjet ka ndihmuar gratë e atij rajoni, duke i mbështetë në forma të ndryshme dhe duke i fuqizuar ato, me qëllim që të ju kthehen jetës prapë dhe të jenë zot të vetvetes.
QKRMT poashtu ka mbështetur vazhdimisht themelimin e organizatës lokale në Drenas, gjë që u arrit këtë vit dhe ku po organizohen aktivitete si qepje e punë dore, në mënyrë që viktimat e torturës t’i kthehen jetës dhe të promovohet puna e tyre.
Në harkun kohor 17 vjeçar, përpos atyre që kanë marrë ndihmë sistematike të rregullt, mbi 10,000 njerëz kanë përfituar nga QKRMT-ja, duke marrë shërbime të rregullta si kontrolla, medikamente dhe konsulta, si dhe në kuadër të rehabilitimit është një trajtim multidiciplinar i përbërë nga psikologë, psikiatër, gjinekologë dhe punëtorë socialë të QKRMT.                                                                                                    QKRMT është organizata e parë që ofron shërbime dhe asistencë psikologjike dhe psiko-sociale për refugjatët dhe azil kërkuesit në Kosovë. Tani tre vite monitorojnë Qendren për azil kërkuesit dhe Qendrën për Mbajtjen e të Huajve. Në këtë kontekst, QKRMT monitoron edhe vendkalimet kufitare në tërë Kosovën. Gjithashtu, bën avokimin në kuadër të  Ligjit për Azil , si dhe Ligjit per te Huaj.  
QKRMT bën monitorimin e qendrave korektuese, të paraburgimit, monitorimin i stacioneve policore, monitorimin e lirisë së tubimit, monitorimin e qendrave dhe institucioneve të shëndetit mendor dhe kujdesit social. Po ashtu, si organizatë, monitorojnë dhe seancat gjyqësore në raste me paraburgim, ku të paraburgosurve u ofrojnë këshilla juridike më një ekip të kompletuar ekspertësh.
            QKRMT, duke dhënë kontribut me komente, rekomandime dhe vlerësime ka avokuar fuqishëm në miratimin e Ligjit për Shëndetin Mendor që ka hy në fuqi në nëntor të vitit 2015. Gjithashtu, kanë ofruar 75 trajnime mbi menaxhimin e stresit në punë dhe aftësim psikosocial për 1133 profesionistë të kujdesit parësor shëndetësor (mjekë familjarë dhe  infermiere).QKRMT i ka ofruar Shërbimit Korrektues të Kosovës një draft udhëzues që përcakton regullat dhe parimet bazë për funksionalizimin të mekanizmit të brendshëm të ankesave. Përgjatë vitit 2012-2014 në bashkëpunim me institucionin danez “Dignity”, kanë ofruar trajnime për shërbimin shëndetësor në institucionet korektuese.
Me një fjalë, QKRMT angazhohet për një shoqëri pa torturë ku të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të respektohen në tërësi.