Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka shënuar 15 vjetorin e themelimit të saj me 14 tetor, me ç’rast ceremonia e shënuar ka pasur për qëllim të dokumentoj rrugëtimin e Qendrës në 15 vitet e punës së saj.
“Ishte vjeshtë e vitit 1999, kur ne vumë themelet e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës si përgjigje e nevojës për mbështetje mjekësore e psiko-sociale të viktimave të torturës dhe dhunës sistematike ndaj popullatës civile gjatë luftës, me ambicie të mëdha që kjo qendër do tu rikthente shpresën dhe jetën e atyre ku lufta e fundit u la pasoja të rënda shpirtërore, mendore dhe fizike”, tha drejtorja ekzekutive Feride Rushiti.
Aktivitetet e QKRMT kanë filluar në Prishtinë, por shërbimet e saj shumë shpejt u zgjeruan në zonat me të dëmtuara të Kosovës si Skenderaj, Drenas, Rahovec, Suharekë, Mitrovicë, Podujevë, Pejë, Deçan dhe Gjilan. Andaj, kjo Qendër, gjatë tërë këtyre viteve ishte adresa kryesore e trajtimit dhe rehabilitimit të pasojave të torturës, ku nga shërbimet dhe përkujdesja e qendrës kanë përfituar rreth 18.000 njerëz.
QKRMT poashtu ka realizuar një mori studimesh të rëndësishme të cilat shërbejnë për edukim, dokumentim, avokim dhe krijim të platformave kombëtare për psiko-traumë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Kjo qendër ka qenë dhe vazhdon të jetë zë i fuqishëm i shoqërisë civile për të mbrojtur të drejtat e viktimave të dhunës dhe torturës, tha Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
“Për këto 15 vite me radhë, kjo Qendër ka qenë një partnere e fuqishme e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj, duke rrugëtuar së bashku për të gjetur mekanizmat ligjorë, shëndetësorë, psikosocialë dhe gjithë kjo punë e gjithë ky angazhim vetëm për hir të rehabilitimit dhe riintegrimit të të gjithë qytetarëve tanë që kanë qenë viktima të dhunës dhe të torturës gjatë luftës. Për këtë, dëshiroj të falënderoj drejtoreshën dhe stafin e kësaj Qendre, për punën dhe angazhimin e tyre.”
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe akter të ndryshëm vendor e ndërkombëtar nga jeta civile e ajo politike.