Qendra Rinore e Lipjanit (LYC) mbajti Fokus Grupin e parë me gratë dhe vajzat në biznes me qëllim përgatitjen dhe përpilimin e një dokumenti të politikës publike për mbështetje të sektorit të biznesit.
Pjesëmarrëst gjatë takimit të mbajtur më 25 shkurt, diskutuan rreth vështirësive që hasin bizneset e reja për depërtim në treg. Ndër pengesat kryesore u përmend mungesa e përkrahjes institucionale nga qeverisja lokale, sidomos në fazën fillestare kur bizneset kanë nevojë më së shumti.
“Ndër problemet thelbësore është edhe çështja e trashëgimisë së pronës te gratë dhe vajzat”, tha Mihane Abdullahu, pjesëmarrëse në Fokus Grup, “Arsyeja pse gratë përfitojnë më pak nga subvencionet sesa burrat është numri i vogël i pronave në emër të tyre.”, shtoi ajo.
Përgjatë takimit gratë ndanë përvojat dhe dhanë rekomandime, duke shfaqur interesim të madh për ngritjen e kapaciteteve të bizneseve të reja dhe krijimin e lidhjeve në mes të bizneseve dhe qeverisjes lokale.
Valmirë Marevci, Koordinatore e Projektit, LYC, theksoi se “Në kuadër të projektit do të mbahet edhe një punëtorie tre ditore, duke mbledhur së bashku akterët relevantë lokal, si OJQ-të dhe bizneset, që kanë ndikim dhe mund të japin kontribut në përgatitjen e dokumentit të politikës publike, e që mund të ndikojë në procesin e aprovimit dhe marrjes në konsideratë nga autoritetet komunale.”
Ky takim dhe kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe financohet nga UN Women.
Përveç organizatës LYC, përfituese nga raundi i 14-të i FGK-së janë edhe 19 organizata anëtare të tjera. Listën e plotë mund ta lexoni KËTU.