Rëndësia e shëndetit mendor: RrGK ofron psikoterapi për stafin

Gjatë përhapjes së pandemisë COVID-19, rëndësia e shëndetit mendor ka marrë vëmendje të shtuar në të  gjithë botën, e poashtu edhe në Kosovë.  

Studime të shumta të kryera deri më tani për hulumtimin e pasojave psikologjike te personat e ngujuar në karantinë, tregojnë se stresi, depresioni e ankthi janë faktorë të rëndësishëm që mund të bartin në vete pasoja edhe afatgjata.   

Të gjeturat e një studimi tregojnë se te 31% e të ngujuarve në karantinë janë shfaqur shenja të depresionit, ndërsa 29% prej tyre kishin simptoma të çrregullimit të stresit post-traumatik.  

Megjithatë, njerëzit ende ngurrojnë të kërkojnë ndihmë e frikësohen nga paragjykimi nga të tjerët kur është fjala për t’u përballur me probleme të shëndetit mendor. 

Andaj diskutimi mbi shëndetin mendor duhet të marrë vëmendjen e merituar. 

Duke ditur rolin e shëndetit mendor në mirëqenie, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka ofruar një numër të seancave falas për stafin gjatë kohës së karantinës.  

Për rëndësinë e shëndetit mendor gjatë kësaj kohe si dhe për përfitimet nga seancat psikologjike tregon psikologia Mimoza Gashi. 

“Secili ka mënyrën e vet të ballafaqimit dhe përshtatjes në situatë të re, megjithatë pasiguria, cenimi i lirisë, izolimi dhe vetmia asnjëherë nuk konsiderohen shoqërues të mirë të mirëqenies psiko-emocionale të individit. Prandaj, krahas përpjekjeve për të rikthyer jetën normale duhet pasur parasysh mbështetja dhe mirëkuptimi shoqëror i personave të afektuar negativisht në aspektin psiko-emocional nga pandemia dhe trajtimi psikologjik i tyre”, u shpreh Gashi.  

RrGK edhe më parë i ka kushtuar rëndësi të madhe shëndetit mendor, duke mundësuar mbajtjen e seancave psikologjike për të shmangur shterimin profesional të aktivisteve, si grupore për gjithë stafin e poashtu edhe individuale për pjesëtarët e stafit që kanë shprehur interesim.  

Këto seanca u mundësuan falë mbështetjes së marrë nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe UN Women.