RrGGK Avokon për Përmirësimin e Reagimit Institucional ndaj Dhunës në Baza Gjinore

     Gjatë muajit maj, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) u takua me disa institucione për të diskutuar dhunën në baza gjinore në Kosovë, përkatësisht për dhunën në familje dhe ngacmimin seksual. Këto takime të avokimit, të planifikuara në vitin 2015, u bënë me qëllim që të përcjellin rekomandimet e bëra institucioneve individualisht, nga dy raportet hulumtuese të RrGGK: Mjaftë më me arsyetime: Analizë të qëndrimeve, incidencës dhe përgjigjeve institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë (2015) dhe Ngacmimit Seksual në Kosovë (2016). Sidoqoftë, takimet ishin gjithashtu në kohë të përshtatshme dhe përkuan me rastet e fundit të dhunës në familje.
     Më konkretisht, RrGGK nga afër është duke e përcjellur rastin e Znj. Zejnepe Bytyqi Berisha. Bashkëshorti i saj ka therrur atë për vdekje, dhe poashtu ka plagosur vajzen e tyre. Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar atë, por me një denim prej vetëm 12 vjet burg. RrGGK së bashku me aktivistët e shoqërisë civile dhe qytetarët, e shprehën neverinë e tyre publikisht në një protestë të mbajtur më 14 prill 2017, gjatë të cilës ata bënë thirrje për #DrejtësiPërZejnepen.
     Që nga atëherë, RrGGK ka vazhduar ta ndjekë këtë rast dhe ka kontraktuar një avokat për të mbështetur familjen e znj. Bytyqi Berisha në paraqitjen e një apeli. Ankesa është parashtruar me 17 maj në Gjykatën Themelore në Prizren.
     Ndërkohë, RrGGK i është drejtuar tre institucioneve përgjegjëse për të kërkuar drejtësi dhe përmirësimin e performancës në hetimin e krimeve. Këtë javë RrGGK u takua me Zëvendës Prokuroren e Shtetit, Sevdije Morina, Zëvendës Drejtorin e Përgjithshëm të Operacioneve Policore, Naim Rexha, Kapiten Tahire Haxholli e cila udhëheq Njësinë për Hetimin e Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës dhe Menaxherin e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Basri Kastrati. Çështjet kryesore që RrGGK-ja ngriti gjatë këtyre takimeve përfshinin:

•    Hetim mbi mënyrën se si institucionet po merren me rastin e znj. Bytyqi Berisha, si dhe çfarë hapa po ndërmarrin për të përmirësuar performancën e përgjithshme në rastet e dhunës në familje;
•    Nevoja për të përmirësuar menaxhimin e rasteve dhe koordinimin ndërmjet institucioneve për të ndihmuar dhe siguruar drejtësinë në rastet e dhunës në familje, e cila është identifikuar si një shqetësim kryesor në hulumtimin e lartpërmendur të RrGGK-së;
•    Nevoja për trajnime shtesë për prokurorët, policinë dhe Mbrojtësit e Viktimave, respektivisht, për të përmirësuar performancën e tyre, përfshirë: përkufizimin dhe cilat akte përbëjnë ngacmim seksual; kërkesë ligjore për të siguruar konfidencialitetin në të gjitha rastet; rëndësinë e mos fajësimit të viktimave për krimet e kryera kundër tyre; dhe se zyrtarët nuk duhet të marrin vendime në bazë të mendimeve të tyre personale, sikurse inkurajimi i pajtimit familjar, veçanërisht kur janë kryer vepra penale që kërkojnë ndjekje penale sipas detyrës zyrtare.

     Si rezultat i këtyre takimeve, të tre institucionet u shprehën se do të angazhohen për të adresuar mangësitë dhe për të përmirësuar performancën. Më tej, RrGGK u informua se prokuroria po punon në emërimin e prokurorëve të cilët do të jenë të specializuar në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Ata do të marrin trajnim nga ekspertë nga Shtetet e Bashkuara.
     Të gjitha institucionet janë të angazhuara për të shqyrtuar mundësitë për trajnime të zyrtarëve në temat e lartpërmendura. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me RrGGK dhe të përfitojnë më shumë nga ekspertiza e RrGGK-së në këtë temë, pasi që e konsiderojnë të rëndësishme.
     RrGGK do të vazhdojë të monitoroj institucionet këtë vit dhe inkurajon këdo që ka shqetësime në lidhje me performancën e institucioneve në rastet e dhunës në baza gjinore të na kontaktoni në info@womensnetwork.org ose 038245850.