RrGGK përkrah strehimoret, angazhimet kundër dhunës në baza gjinore

Gjatë pjesës së dytë të vitit 2007, RrGGK ishte aktivisht i involvuar në një projekt të quajtur “Ofrimi i Sigurisë, Promovimi i Shëndetit; Luftimi i Dhunës në Baza Gjinore në Kosovë”, përkrahur nga Fondi Popullor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNFPA). Kosovës i mungon infrastruktura e domosdoshme për të përkrahur gratë dhe fëmijët që vuajnë nga dhuna në baza gjinore. Strehimoret ekzistuese që mbrojnë viktimat e dhunës nuk kanë përkrahje të mjaftueshme financiare për të ofruar kujdes adekuat shëndetësor për viktimat, për t’i mbrojtur ata në mënyrë adekuate, dhe për t’i ndihmuar në integrimin e serishëm në shoqëri. Përveç kësaj, ekziston një mungesë e koordinimit konsistent mes të gjithë akterëve që punojnë në çështjet e dhunës në baza gjinore.

RrGGK u përfshi në këtë projekt duke tentuar të ndihmojë ngritjen e nivelit të përkrahjes financiare si dhe të përkrahë themelimin e sistemeve specifike të bashkëpunimit mes strehimoreve, krahas mbrojtjes, asistimit dhe përkrahjes së viktimave të dhunës. Gjatë këtij projekti gjashtëmujor, me përkrahje të UNFPA, RrGGK ofroi përkrahje të drejtpërdrejt për katër strehimore në Kosovë. Partnerët e RrGGK në këtë projekt kanë mbajtur takime të rregullta koordinuese, gjatë të cilave kanë punuar në krijimin e procedurave specifike dhe standarde të veprimit për strehimore, si dhe kanë diskutuar mbi telashet dhe çështjet kyçe që paraqiten gjatë punës në strehimore.

Përmes këtij projekti, RrGGK në bashkëpunim me partnerët e vet, është duke kryer hulumtime zbuluese lidhur me nivelin e shtrirjes së dhunës në baza gjinore në Kosovë dhe lidhjen potenciale të saj me shëndetin reproduktiv të grave.
Ky hulumtim, i pari i këtij lloji në Kosovë, ka për qëllim ofrimin e informatave më të azhurnuara të mundshme lidhur me këtë çështje, si dhe përcaktimin e rekomandimeve politike të cilat do të shfrytëzohen në fushatën mediale/avokuese të RrGGK. RrGGK do të shfrytëzojë rekomandimet nga hulumtimi për të avokuar tek institucionet relevante për përkrahje të rregullt për strehimoret, si dhe për të nxjerrë rekomandime tjera politike për çështje që kuptohen nga hulumtimi.

Përmes këtij projekti, RrGGK ka organizuar fushatë mediale për ngritje të vetëdijes lidhur me problemin e dhunës ndaj gruas dhe për publikimin e rekomandimeve tek të gjithë akterët relevantë që punojnë në luftimin e dhunës ndaj grave. RrGGK dhe organizatat e veta anëtare janë duke punuar për të arritur deri tek gratë dhe burrat e viseve rurale dhe urbane, duke u sjellë atyre informata lidhur me dhunën në baza gjinore dhe ndikimin që kjo ka në shëndetin reproduktiv. Organizatat anëtare të RrGGK kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, si përmes pjesëmarrjes në takime koordinuese ashtu edhe përmes përcaktimit të standardeve për strehimore, pjesëmarrjes në hulumtim apo organizimit të aspekteve të ndryshme të fushatës për informim publik.