RrGK avokon për heqjen e taksave në produktet menstruale

Më 24 maj, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) lansoi fushatën përmes së cilës kërkon heqjen e taksave nga produktet menstruale. Aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen për 18% të vlerës së tyre, njësoj siç tatohen edhe produktet e luksit. Kujtojmë se ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm.

Përmes kësaj fushate, RrGK synoi të informoj qytetarët për rëndësinë e zbatimit të politikave gjinore në vendosjen e taksave për produktet menstruale, si dhe rëndësinë e veçantë që merr kjo në rastin e Kosovës- duke ditur se vetëm 15.9% të grave në Kosovë janë të punësuara.

Për të avokuar për këtë gjë, RrGK me datën 28 maj-Ditën Botërore të Higjienës Menstruale, dërgoi te Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dokumentin e politikave të titulluar “Taksimi i Përgjegjshëm Gjinor: Heqja e taksave për produktet higjienike menstruale”. Dokument ky i cili fillimisht u nis nga organizata anëtare e RrGK-së, EcoKos Women (EKW), dhe paraqet qartë arsyet pse Qeveria e Kosovës duhet të zvogëlojë apo heq krejtësisht taksat në produktet menstruale, e kështu të ndikojë në rritjen e mirëqenies së grave dhe të zbatojë Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor, ashtu siç edhe është zotuar përmes Ligjit për Barazi Gjinore. Dokumenti përmban edhe rekomandimet si duhet bërë një gjë e tillë.

Prandaj, RrGK inkurajon Qeverinë e Kosovës që të ndryshojë ligjin numër 05/L-037 për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij, ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi. Kjo do të shkojë në të mirën e familjeve me të ardhura të ulëta si dhe do të kontribuojë në arritjen e barazisë në mbledhjen e të ardhurave shtetërorë duke e larguar këtë taksë diskriminuese për gratë. Për më tepër, kjo do të kontribuonte në përmirësimin e qasjes së grave në kujdes shëndetësor, menaxhimin të higjienës personale, arsimim si dhe në punësim. Nëse heqja e tërësishme e taksës nuk është e mundur, atëherë gjithsesi kjo taksë duhet të zbritet në 8%, pasiqë në këtë mënyrë do të zbritej çmimi e tyre pa u vërejtur aq në mbledhjen e të ardhurave shtetërore.

Për më tepër mund të lexoni përmbledhjen tonë të politikave KËTU.

Kjo fushatë mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).

No photo description available.